Pas ndërprerjes së dialogut Shqipëri-Greqi, reagon ministri i Jashtëm Grek

12:48 | 14 Mars 2019

Ministri i Jashtëm grek Georgios Katrougkalos në një intervistë radiofonike është pyetur mes të tjerash se çfarë po ndodh me marrëdhëniet shqiptaro-greke, me dialogun e ndërprerë Athinë–Tiranë dhe kryesisht me çështjen e ZEE.

Sipas kreut të diplomacisë greke ka vërtetë një vonesë në bisedimet me Shqipërinë, për shkak të trazirave të fundit politike të cilat merren parasysh nga Athina zyrtare, por edhe per faktin se qeveria greke priste përgjigje në lidhje me çështjet që i përkasin minoritetit grek në Shqipëri.

Kryesisht ai i është referuar dy ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pronës së tyre në lidhje me pjesën e përparme të bregdetit të Himarës si dhe të së drejtës së mundësisë për vetëdeklarimin se janë pjesë e minoritetit grek.

Në këtë moment kemi marrë disa përgjigje nga pala shqiptare, ka një “shkrirje” të bisedimeve, por është e parakohshme të themi se do kemi një përfundim pozitiv ose negativ- ka thënë Katrougkalos.

Dëshirojmë – ka theksuar ministri grek- të kemi një përmirësim të marrëdhënieve dhe të çështjeve dypalëshe dhe nëpërmjet “shkrirjes” së këtyre çështjeve të hapet edhe procesi europian i Shqipërisë.

I pyetur për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë në detin Jon dhe në se kjo do të ndodhe deri në vere të këtij viti, Katrougkalos ka thënë se diçka e tillë është pohuar edhe nga kryeministri grek edhe nga ai vetë, pasi kjo është pjesë e procesit të përcaktimit të ZEE me Shqipërinë dhe Italinë dhe më pas edhe me Egjiptin dhe se ky proces do të ndodhë shumë shpejt.