Numri i të infektuarve në Shkup po bie në vazhdimësi, dy pacientë nga Kumanova infektohen për herë të dytë

08:47 | 30 Qershor 2020

Numri i përgjithshëm i personave pozitiv me coronavirus që nga fillimi i epidemisë deri dje me 132 të infektuarit e rinj, u rrit në 6.209. Për momentin numri i rasteve aktive në vend është 3.484. Gjatë 24 orëve të kaluara nga Covid-19 humbën jetën 12 persona, me çka numri i atyre të cilët e humbën betejën me sëmundjen tani është 298.

Autoritetet informuan se dy të punësuara në spitalin e Kumanovës, janë infektuar përsëri me Covid-19, pasi paraprakisht në fillim të pandemisë e kaluan sëmundjen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në Shkup deri më tani janë diagnostikuar me koronavirus 3006 persona, ndërsa aktiv janë 1986, prej të cilëve më së shumti në Çair (420), pastaj vijnë Aerodromi, Buteli, Gazi Baba, Saraji, Qendra, Karposhi, Gjorçe Petrovi, ku numri lëviz prej 100 deri 150 të infektuar.

“Numri i të infektuarve me Covid-19 në Shkup është në rënie të vazhdueshme, por kemi raste të reja në rrethinën e Tetovës, atë të Gostivarit, Shtipit, Resnjës dhe Manastirit. Kjo akoma mban numrin e të infektuarve pak më të lartë. Faktori i transmetimit që nga dita e djeshme përfshirë fundjavën kur kemi bërë analizën e fundit është nën 1 dhe është shumë e rëndësishme që ajo të qëndrojë në atë mënyrë. Absolutisht të gjitha rastet janë rezultat i mosrespektimit të masave. Duhet ta kuptojnë se vetëm duke respektuar masat do të dalim nga kjo krizë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe pas vizitës së djeshme në Institutin për Sëmundje të Mushkërive të Bardha te Femijët – Kozle.

Ai dje bëri të ditur se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse e lejoi protokollin për organizimin e ngjarjeve publike të cilin javën e kaluar e propozuan përfaqësues të Shoqatës së Muzikantëve dhe organizatorë të ngjarjeve.

Nga Komisioni është sjellë leje që të organizohen ngjarje publike me atë që vendi duhet të jetë i mbushur jo më shumë se 50 për qind të kapacitetit ku do të organizohet ngjarja.

Filipçe theksoi se protokolli i propozuar është solid sepse parasheh hyrje të kontrolluar në ngjarje, biletat do të shiten në mënyrë elektronike që të mos krijohen radhë dhe rrëmujë dhe është e obligueshme që të mbahen maska mbrojtëse.

Sa i përket kopshteve ministri Filipçe tha se ato nuk do të hapen së shpejti, për shkak të numrit të të sëmurëve./

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara