Millo Gjukanoviç, presidenti i ri i Malit të Zi

11:07 | 16 Prill 2018

Kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç, ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të cilat të dielën u mbajtën në Mal të Zi, duke theksuar se rezultati është një konfirmim i vendosmërisë së vendit për të vazhduar rrugën e cilësisë evropiane të të jetuarit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton arbresh.info.

Në bazë të rezultateve të Qendrës për Mbikëqyrje dhe Hulumtim (CeMI), nga 100 për qind të votave të numëruara, Gjukanoviç ka marrë 53.8 për qind, me çka për herë të dytë është zgjedhur president.

Në prononcimin e parë publik pas fitores, ai tha se nuk do të zhgënjejë pritjet e qytetarëve.

Gjukanoviç falënderoi partnerët e koalicionit përmbështetjen, duke thënë se janë një koalicion i pamposhtur, por në vend të mesazhit për kundërkandidatët e tij në zgjedhje, ai kishte një porosi për liderët opozitarë.

“Ky rezultat është aq bindës, saqë paraqet një dëshmi për nevojën tuaj që të rishikoni qëndrimet e juaja politike, se nuk mund të arrini asgjë, duke mohuar të arriturat e Malit të Zi”, tha presidenti i sapozgjedhur.

Për sa u përket prioriteteve, Gjukanoviç tha se zhvillimi ekonomik që do të rrisë standardin e jetesës, dhe minimizimi i ndarjeve në shoqëri do të jenë ndër shtyllat e veprimit të tij.

Në bazë të 100 për qind të materialit të përpunuar zgjedhor të CeMI-t, Milo Gjukanoviç ka fituar 53.8 për qind të votave, Mlladen Bojaniç 33.5, Draginja Vuksanoviç 8.3, Marko Millaçiç 2.7, Hazbija Kalaç 0.8, Vasilije Miliçkovç 0.4, dhe Dobrillo Dedeiç 0.4 për qind.

Dalja e votuesve ka qenë 64 për qind.

Shpërndaje në rrjete sociale