Maqedonia Veriore: Për të marrë ilaçe, nga 1 tetori do të duhet edhe letërnjoftimi

16:51 | 12 Shtator 2019

Nga 1 tetori për të shkruar një ilaç tek mjeku amë dhe të njëjtën ta merrni në farmaci, paraprakisht do të duhet ta tregoni letërnjoftimin ose pasaportën. Nga Fondi shëndetësor thonë se ndryshimet vijnë me qëllim evitimin e keqpërdorimeve të ilaçeve nga ana e pacientëve dhe furnizimin e papenguar të personave të siguruar me ilaçe.

“Për fëmijët, ilaçet do të mund t’i tërheqin prindërit e tyre duke treguar letërnjoftimin. Ilaçet mund të tërhiqen edhe për personin tjetër por, gjithmonë duke treguar letërnjoftimin e personit që tërheq ilaçet”, tha Den Donçev, drejtor i Fondit për sigurim shëndetësor.

Drejtori i Fondit Donçev tha se gradualisht do të eliminohen edhe recetat në letër dhe të njëjtat do të zëvendësohen me receta elektronike. Ai njoftoi se do të vendoset sistem për skenim të dokumenteve, ku çdo aparat për të zbatuar këtë sistem do të kap shumën prej 300 euro dhe do të vendosen në çdo farmaci që ka marrëveshje me Fondin për sigurim shëndetësor.

“Në këto risi do të përfshihet edhe sistemi i ashtuquajtur “flamuri i kuq”. Ky sistem do të ketë rëndësi të veçantë sepse në vazhdimësi do të përcjell se sa receta janë shkruar nga mjekët dhe nëse është tejkaluar norma e lejuar e recetave për një pacient”, tha Den Donçev.

Oda e farmacistëve kundërshtoi këtë masë pasi sipas tyre kjo metodë do të krijonte më shumë kaos tek barnatoret se sa një mekanizëm kontrollues siç e ka paraparë Fondi Shëndetësor./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara