Maqedoni, me ligj do të definohet dallimi mes personave të emëruar politikisht dhe administratës

19:49 | 10 Dhjetor 2019

Me Propozim-ligjin për shërbim të lartë drejtues, që e miratoi sot Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të bëhet dallim i qartë mes personave të emëruar politikisht dhe administratës.

Propozues i këtij ligji është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Qëllimi i ligjit është që të vendoset shërbimi i lartë drejtues i bazuar në parimin e ekspertizës dhe meritave, si mekanizma për përmirësimin e kapaciteteve organizuese dhe përforcimin e menaxhimit të mirë në institucionet e sektorit publik, me çka do të bëhet e qartë diferenca mes personave të emëruar politikisht dhe administratës”, njoftojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp.

Nga Qeveria thonë se Propozim-ligji është në drejtim të profesionalizmit të shërbimit të lartë drejtues si një nga parakushtet kryesore për avancimin e kapaciteteve organizuese dhe përforcimin e menaxhimit të mirë në institucionet e sektorit publik.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara