Maqedoni e Veriut: Hapen votimet për zgjedhjet parlamentare

00:25 | 14 Korrik 2020

Më 13 korrik votojnë personat e infektuar me koronavirusin e ri dhe ata që janë të izoluar për shkak të virusit. Një ditë më pas më 14 korrik do të votojnë të sëmurët e tjerë, të burgosurit dhe personat që jetojnë në strehimoret për të moshuar, ndërsa dita kryesore e zgjedhjeve do të jetë të mërkurën më 15 korrik. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 21:00 ndryshe nga e kaluara kur janë mbyllur në ora 19:00.

Zgjedhje në kushte specifike

Mbi 1.8 milionë votues janë thirrur të japin votën e tyre për 15 koalicione dhe parti politike që konkurojnë për 120 mandate të parlamentit. Këto janë zgjedhjet më specifike që deri tani janë organizuar në vend duke  marrë parasysh gjendjen me koronavirusin dhe masat që duhet të respektohen, si nga ana e qytetarëve me mbajtje të maskës, mbajtje të distancës, ashtu edhe nga ana e anëtarëve të këshillave zgjedhorë, vëzhguesve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në procesin  votimit.

Të drejtën e votës e shrytëzojnë edhe personat të prekur nga Covid-19

Komisionet zgjedhore komunale kanë pranuar 716 kërkesa nga persona pozitivë me koronavirusin ose në vetizolim për votim, që do të realizohet (13.07) si pjesë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik. Këtë proces të votimit po e realizojnë këshilla të veçantë zgjedhorë të përbërë prej tre punonjësve shëndetësorë dhe përfaqësues të partive politike.

Protokoll i veçantë për votim

Votimi i të sëmurëve me Covid-19 dhe personave të cilët janë në vetizolim zhvillohet sipas protokollit të veçantë të konfirmuar shëndetësor për mbrojtje. Të drejtën e votës mund ta realizojnë 716 persona, të cilët u paraqitën në KSHZ. Ata votojnë në shtëpitë e tyre. Këshillat e veçantë zgjedhor, që shkojnë për ta realizuar votimin në shtëpitë e personave të cilët janë pozitiv të Covid-19 dhe janë në izolim shtëpie para nisjes përgatiten me pajisje personale mbrojtëse e cila përbëhet nga: manteli për një përdorim, dorezat për një përdorim, maska mbrojtëse standarde kirurgjike dhe mjete për dezinfektim. Personi i cili voton patjetër e ka të mbajë maskë në pjesën e hundës dhe gojës.Gjatë dhënies së letërnjoftimit, votuesi e zbret maskën përpak kohë për identifikim dhe e mban distancën e rekomanduar nga anëtarët e këshillit zgjedhor. Në të gjithë procesin e votimit duhet të sigurohet distancë e detyrueshme prej 1,0-1,5 metra.

Të martën do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, të sëmurët kronikë, personat në burgje, ata në shtëpitë e pleqve dhe ata nën arrest shtëpie.

Në këto zgjedhje nuk do të mbahet votimi në diasporë, sepse gjatë paraqitjes e cila ndodhi para shpalljes të gjendjes së jashtëzakonshme nuk u paraqitën numër i mjaftueshëm i votuesve. Megjithatë, mërgimtarët do të mund të votojnë nëse kanë udhëtuar për në vendëlindje me dokumentacion të vlefshëm./DW/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara