Kriporja e Ulqinit shpallet park natyror

22:49 | 24 Qershor 2019

Kuvendi Komunal i Ulqinit, të hënën shpalli Kriporen e njohur të këtij qyteti park natyror. Vendimi u mirëprit nga qytetarët, pasi me këtë vendim mbrohet tjetërsimi i kësaj hapësire të veçantë natyrore.

Kriporja e Ulqinit cilësohet ndër ekosistemet më të njohura në Adriatik. Ajo është zona e parë me rëndësi ndërkombëtare për zogjtë në Mal të Zi, si dhe “Strehim Emerald” i Konventës së Berlinit.

Kriporja pritet që së shpejti të bëhet pjesë e listës Ramsar, si kënetë me rëndësi ndërkombëtare.

Kriporja e Ulqinit e ngrit në vitin 1926 nga italianët dhe ka një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë që është lagunë dhe ndodhet në deltën e lumit Buna. Aty ka edhe një pasuri të madhe shpendësh. Ujërat e ëmbla të lumit ndahen nga uji i kripur i detit Adriatik nëpërmjet kanaleve.

Si shumë pasuri të tjera, Kriporja e Ulqinit ka qenë pasuri shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2003 është privatizuar, sepse ndërmarrja falimentoi.

Privatizuesi e bleu për 800 mijë euro. Çmimi i tokës u vendos 5 cent metri katror duke u cilësuar si aferë korruptive e politikës në Mal të Zi.

Kriporja e Ulqinit është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian, i cili financoi edhe studimin për mbrojtjen dhe përmirësimin e kripores.

Po ashtu Bashkimi Evropian ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim me kapitullin 27 të marrëveshjes, kapitull që i kushtohet parkut natyror të Ulqinit. /VoA

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara