Fazliu: Do të investohen 4.7 milionë euro për 43 projekte në rajonet e planifikimit

16:34 | 17 Prill 2019

Në tetë rajonet e planifikimit në shtet do të realizohen 43 projekte në vlerë të përgjithshme prej 290 milionë denarësh ose 4,7 milionë euro. Prej tyre, 38 janë projektet infrastrukturore, ndërsa pesë janë projekte për përgatitje të dokumentacionit teknik.

Vendimi, siç deklaroi sot ministri i vetëqeverisjes lokale Suhejl Fazliu, është sjellë në seancën e djeshme qeveritare, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Deri në fund të vitit duhet të realizohen katër projekte në vlerë të përgjithshme prej 50 milionë denarësh në Rajonin e planifikimit verilindor, tetë projekte prej 42,5 milion denarësh në rajonin e Vardarit, tre projekte në vlerë prej 38,4 milion denarësh në Rajonin jugperëndimor dhe gjashtë projekte prej 38,1 milion denarësh në rajonin e Pologut. Do të investohet edhe në rajonin e Pellagonisë ku do të realizohen tetë projekte në vlerë prej 34,3 milion denarësh dhe në Rajonin lindor ku janë planifikuar katër projekte në vlerë prej 32,6 milion denarësh. Në Rajonin jugperëndimor janë planifikuar 32 milionë denarë dhe në rajonin e Shkupit do të realizohen gjashtë projekte në vlerë prej 20,8 milion denarësh.

Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale janë dorëzuar gjithsej 49 aplikacione, ndërsa prej tyre janë zgjedhur 43 projekte që do të realizohen.

Shtoi se në dy vitet e kaluara mjetet për zhvillim rajonal të balancuar janë rritur për 100 për qind dhe se tendenca për nxitjen e zhvillimit të balancuar do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Është paralajmëruar edhe strategji e re për periudhën 10-vjeçare të ardhshme./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara