Çoviq dhe ambasadori kroat festojnë ditën e Republikës Srpska në Banjalukë

13:58 | 11 Janar 2019

Prania e liderit të HDZ Dragan Çoviq në shënimin e ditës së Republikës Serpska nuk ka qenë tepër befasuese. Por habi të madhe ka shkaktuar prania në Banjalukë e ambasadorit kroat në Bosnje-Hercegovinë.

Kryetari i partisë kroate në Bosnjë-Hercegovinë, HDZ, Dragan Çoviq dhe ambasadori i Kroacisë në B-H Ivan Del Vekio, kanë marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të ditës së Republikës Serpska (9 janar) në Banjalukë. Kritikët thonë se ata në këtë mënyrë i kanë nderuar dhe respektuar kriminelët e luftës të cilët kanë granantuar madje edhe Shibenikun e Kroacisë.

Në Banjalukë janë nderuar Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq dhe oficeri tani i vdekur i ish-APJ Slavko Lisica, i cili në vitin 1991 ka urdhëruar granatimin e Shibenikut dhe për këtë shkak në Kroaci është dënuar për krime lufte.

Analisti politik Pejo Gashpareviq mendon se prania e Çoviqit në Banjalukë është një lloj reagimi ndaj zgjedhjes së Zhelko Komshiqit në Presidencën e B-H. „Vështirë është të besosh se Çoviqi nuk ka qenë i vetëdijshëm se do pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni do të shkaktojë kritika, por ai ka pasur llogaritë e veta politike. Prania e tij në ceremoninë e festimeve në RW është një lloj përgjigje ndaj votuesve të Komshiqit, i cili në Presidencë është zgjedhur duke i falënderuar votave të boshnjakëve. Ky hap është pjesë e një konteksti më të gjërë të dinamikës politike në B-H”, mendon Gashpareviq.

„Turpi i Kroacisë”

Dragan Çoviq

Analisti kroat në Zagreb Davor Gjenero është i „shokuar” me paraqitjen e ambasadorit kroat në këtë ceremoni, me të cilën shenohet “festa shtetërore e Dodikut” si dhe “agresioni” ndaj Kroacisë. “Ndonëse ambasadori kroat në Sarajevë Ivan Del Vekio konsiderohet si një njeri tërësisht i paaftë për detyrën që ushtron, vendimin për shkuarjen në Banjalukë, të cilin e kanë denuar Sarajeva dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nuk ka mundur ta marrë pa e pyetur askend.”

„Partneriteti mes Dodikut dhe Çoviqit është shumë i qartë dhe ai jo vetëm që po rrezikon gjithnjë e më shumë tërësinë territoriale të B-H, por po shndërrohet në një gjë të pakëndshme edhe për Kroacinë. Mllefi me këtë partneritet nuk është vetëm çështje e opozitës në Kroaci, e cila e kundërshton hapur, por edhe e njerëzve të arsyeshëm brenda administratës kroate. Ndërkohë që duhet pritur nëse në ditët në vijim do të publikohen të dhënat se kush i ka lejuar ambasadorit Del Vekio të shkojë në Banjalukë dhe ta turpërojë Kroacinë. Kroacia duhet të mendojë mirë se çfarë politike po bën ndaj Sarajevës”, thotë Gjenero.

Ai mendon se zëvendësimi i shpejtë i ambasadorit kroat në Sarajevë Del Vekio, të cilit së shpejti i skadon mandati, mund të jetë një shans i mirë për ndryshimin e politikës kraote ndaj B-H. “Do të ishte mirë sikur Zagrebi t’ua përsërisë kroatëve në Bosnje fjalinë të cilën ua ka thënë dikur ish-presidenti Stjepan Mesiq: Kryeqyteti juaj ku duhet të zgjidhen problemet është Sarajeva. Nëse Kroacia dëshiron të kontribuojë për realizimin e interesit primar – stabilizimin dhe konsolidimin e B-H – atëherë Zagrebi nuk guxon të mbetet rob i politikës së Çoviqit”, thotë Gjenero.

Çoviqi person “non grata” në Shibenik?

Pas festimit të ditë së RS ka pasur reagime të shumta në Kroaci dhe B-H. Ish-presidenti Mesiq tha se prania e Çoviqit në Banjalukë me 9 janar është një mesazh për të gjithë ata që e kanë votuar.

„Kjo ditë që feston RS nuk ka kurrfarë lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit. Nuk mund të falen në asnjë mënyrë ata të cilët paraqiten në festimin e ditës kur kanë filluar krimet më të mëdha në B-H”, tha Mesiq.

E ashpër në reagimin e saj ka qenë edhe ish-kryeministrja Jadranka Kosor. “Festimin e ditës jokushteutese të RS, ku nderohet me çmim edhe Slavko Lisica, i denuar për krime lufte në Kroaci, por edhe Ana Brnabiq, pastaj kriminelët Karaxhiq dhe Mlladiq, e ka zmadhuar me praninë e tij edhe Dragan Çoviq. Për këtë shkak askush nuk do ta shpallë person non grata”, shkruan Kosor në Twitter.

Vizita e Çoviqit në Banjalukë është komentuar edhe në rrjetet sociale. “Dragan Çoviq është politikani i vetëm i cili nuk qanë mbi fatin e Vukovarit dhe feston ditën e RS”, shkruan avokati Senad Peqanin.

Banjaluka si në vitet 90-të

Agjencia e lajmeve Patria shkruan se “Çoviqi e ka festuar në Banjalukë zhdukjen e kroatëve nga territori i RS”. Ndërsa Haris Ljevo shkruan se Çoviqi duket se është i gatshëm që për hir të miqësisë me Dodikun të harrojë faktin se “kroatët kanë qenë viktimë e gjenocidit politik mbi të cilin është krijuar RS”.

„Rikujtojmë se në territorin e RS kanë jetuar para luftës rreth 220.000 kroatë. Kisha katolike pohon se sot jetojnë atje vetëm rreth 15.000 kroatë, ndërkohë që numri i tyre po zvogëlohet nga vitit në vit”, shkruan Ljevo. Ndërsa Dragan Bursaq shkruan se RS edhe sot feston “spastrimet etnike” në Banjalukë, të cilat kanë filluar në vitet 90-të.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara