Athina shpreh mbështetje për negociatat

23:56 | 22 Nëntor 2019

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias do të vizitojë gjatë ditëve të ardhshme Tiranën dhe Shkupin.

Ai pritet të parashtrojë nismat e Athinës në mbështetje të hapjes sa më shpejt të negociatave për dy vendet, por do të diskutohen edhe çështje që lidhen me marrëdhëniet dy palëshe.

Ky zhvillim vjen disa ditë pas propozimit francez për një proces gradual të zgjerimit të BE-së.

Athina ka reaguar disi ftohtë ndaj propozimit francez, duke thënë se do ta shqyrtojë. Por ka theksuar se ajo që ka rëndësi primare është që të mbahet gjallë për vendet e Ballkanit Perëndimor perspektiva e anëtarësimit në BE, siç tha për televizionin Klan një burim qeveritar grek. Burimi shtoi se ky mbetet orientimi kryesor i politikës së jashtme për Ballkanin.

Sipas njoftimit të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Dendias do të vizitojë fillimisht Shkupin më 26 Nëntor. Ndërsa mbetet ende e papërcaktuar data e vizitës në Tiranë. Kryediplomati grek ka ftuar gjithashtu homologët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në një mëngjes pune të ministrave të Jashtëm të BE-së, në kuadër të këshillit të tyre të 9 Dhjetorit që do të zhvillohet në Bruksel.

Ndërkaq, kanë filluar që tani përgatitjet për një takim të ministrave të Jashtëm të Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Shkurt të vitit të ardhshëm në Selanik.

Nisma greke do të kulmojë me një samit midis vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën./tvklan.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara