Angjushev: Edhe të rinjtë që kanë ikur nga vendi do të mund të konkurrojnë si promotorë ekonomik

14:53 | 15 Maj 2019

“Të rinjtë e shpërngulur nga vendi dhe të shkolluar jashtë, do të mund të jenë disa nga promotorët potencial ekonomikë në tre zyrat për tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e mundësive për biznes në Maqedoni, të cilat duhet të hapen së shpejti në SHBA, Gjermani dhe Turqi”.

Këtë e theksoi sot zv.kryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, i cili nuk precizoi kur saktësisht do të funksionojnë zyrat dhe kur do të publikohen promotorët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Para fillimit të debatit me studentët e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Angjushev tha se diplomacia e Maqedonisë duhet të fillojë të orientohet drejt biznesit dhe të hap perspektiva të reja, pasi sipas tij, në këtë segment ka hapësirë për përparim serioz.

“Ekonomia jonë duhet të jetë e hapur dhe e kthyer kah eksportet. Me zyrat dhe promotorët ekonomik si koncept më i lirë i promovimit, do të mundohemi të tërheqim kompani të zhvilluara që do të punësojnë persona të rinj të kualifikuar dhe arsimuar, dhe që do të japin rroga të mëdha”, tha Angjushev.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se zyrat së pari do të fillojnë të punojnë me tre deri katër përfaqësues, ndërsa më pas varësisht nga puna, do të mendohet për zgjerimin e ekipit./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara