Viktimat e dështimit të sistemit shoqëror

12:32 | 25 Shkurt 2019
Shkruan: Leutrim Sahiti

Historikisht femra shqiptare ka pasur  rol shumë të rëndësishëm në shumë procese historike që ka kaluar Kosova, në rrugën tonë të çlirimit dhe
pavarësimit të vendit.

Me gjithë progresin e arritur viteve të fundit, fatkeqësisht ende është evident ndikimi i sistemit partriarkal  në vendin tonë, mentalitet ky që
femrës i ka mohuar shumë të drejta të garantuara me kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare.

Dinjitetin dhe mirëqenien e femrës sot e cenon, pozita e ulët e saj në vendimmarrje, mungesa e qasjes në trashëgimi, vështirësitë në punësim,
nënvlerësimi i tyre nga gjinia e kundërt  si refleksion i sistemit patriarkal  në Kosovë etj.

Mungesa e pavarësisë ekonomike të gruas ndaj burrit, e bënë atë më inferiore  dhe me të dobët edhe në zgjidhjen e problemeve që ka, duke
përfshirë dhunën ndaj saj.

Pozita inferiore e grave në shoqëri, mos përkrahja e familjes, institucioneve, paragjykimet e rrethit familjar dhe shoqërisë, mungesa e
trashëgimisë në pasuri që atë e bënë të pafuqishme, mungesa e besimit tek institucionet përgjegjëse etj, bënë që gratë të mos lajmërojnë rastet e
dhunës seksuale.

Në Kosovë jo që nuk mbrohen viktimat por në të shumtën e rasteve ato paragjykohen dhe ofendohen nga vetë drejtuesit e institucioneve në të cilat
viktimat e dhunës trokasin dhe kërkojnë ndihmë.

Çdo histori dhunimi ka pasoja psiko-sociale, duke krijuar kështu situata traumatike tek viktima, depresion, mosbesim, tërheqje dhe izolim. Gjendja
psikologjike e viktimës së dhunës seksuale sigurisht që reflekton edhe në sjelljet e saj ndaj familjes si dhe në karrierën e jetën e saj.

Sa i përket aspektit sociologjik viktimat e dhunës seksuale mund te shpërfaqin sjellje asociale si protestë ndaj shoqërisë dhe institucioneve
përgjegjëse. Ato mund të stigmatizohen dhe ballafaqohen me zhgënjim, depresion e më tutje mund të zgjedhin metoda të vetëdëmtimit apo vetëvrasje.

Viktimat e dhunës seksuale duhet të trajtohen me programe të veçanta nga institucionet e kujdesit social, për të mbështetur ato në tejkalimin e
situatave postraumatike. Në këtë aspekt Kosova ka bërë pak në ofrimin e përkrahjes për këtë kategori, duke marrë parasysh që mungojnë programe të
trajtimit dhe përkrahjes në vazhdimësi për viktimat e dhunës seksuale. Qendrat për punë sociale në komunat e Kosovës nuk merren me ndërmarrjen e
masave preventive dhe mbrojtjen e grave që kërkojnë përkrahje në këto qendra. Mungesa e kuadrove profesionale si sociolog e psikolog në këto
qendra pamundëson trajtimin dinjitoz të këtyre rasteve, kjo pasi që në këto qendra punësohen individ nga profesione të tjera si ekonomist, jurist etj.

Përveç mungesës së përkrahjes institucionale viktimat e dhunës seksuale stigmatizohen nga familjet e tyre, nuk përkrahen dhe kështu mbesin të vetme
me një barrë të rëndë që mbajnë.

Mentaliteti patriarkal i shoqërisë sonë, i pranishëm ende në familjet shqiptare, pozita inferiore e femrës dhe paragjykimet ndaj saj në këto
raste ndikojnë që familjet të mos pranojnë një realitet të tillë dhe kështu kemi raste kur familja nuk pranon në familje viktimat e dhunës seksuale.

Rasti i fundit i dhunimit seksual në Drenas, është vetëm një rast prej shumë rasteve që ndodhin në shkollat tona.

Kjo tregon më së miri që shteti jonë ka bërë pak në aspektin social, në edukimin e mirëfilltë të gjeneratave të reja dhe mbrojtjen nga sjelljet
devijante.

Si rast është mjaft kompleks për faktin që në këtë rast kanë dështuar shumë institucione, duke u nisur nga familja, shkolla, policia, qendra për punë
sociale dhe në fund edhe gjykata.

Një e mitur nuk ishte dashur në asnjë mënyrë që të intervistohej nga policia pa prezencën e prindërve dhe punëtorit social dhe me pas është
dashur që qendra për punë sociale të marrë këtë vajzë në trajtim dhe përkrahje institucionale.

Në vend që institucionet tona të rendit të hulumtojnë këtë rast shpejt dhe të marrin dënimet e merituar autorët, me publikimin e rastit kemi zbehur
edhe me shumë besimin në institucionet dhe de fakto viktimat tani do të hezitojnë dhe me shumë që të kërkojnë ndihmë në këto organe.

Duke marrë parasysh të gjitha këto Qeveria e Kosovës duhet që të lansojë linja telefonike falas dhe anonime në mënyrë që viktimat e dhunës të
raportojnë për rastet e dhunës si dhe të marrin këshilla nga njohësit e kësaj fushe se si të veprojnë në këto raste.

Shoqëria jonë duhet të shkëputet nga mentaliteti patriarkal dhe të trajtojë barabartë burrin dhe gruan dhe kështu të mos stigmatizojë gratë që bien
viktimë e dhunës seksuale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara