Vështrim objektiv mbi Asociacionin

23:06 | 26 Gusht 2015

Nga: Rron Gjinovci

Besoj të gjithë jemi në dijeni se një minoritet prej pesë për qind, me kaq shumë autonomi kulturore e institucionale sa ka minoriteti serb në Kosovë, nuk gjendet në asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jemi në dijeni të argumenteve të diskutimit normativ mbi atë se çka duhet (e çka nuk duhet) të jetë kështu apo ashtu, por në këtë trajtesë të vogël po përpiqemi të japim një pikëpamje objektive, siç na fton edhe titulli i kësaj trajtese.

Pra, po lëmë anash për një moment atë se si duhet të jenë gjërat lidhur me çështjen e veriut, sepse besoj ka konsensus te të gjithë qytetarët e Republikës për këtë çështje. Por, ne nuk mund të sillemi me shpërfillje ndaj rrethanave politike brenda vendit – pra faktit që klasa politike kosovare, pa përjashtim, është e korruptuar, në mos në aspektin ekonomik, atëherë në atë parimor; nuk mund t’i shpërfillim rrethanat ndërkombëtare e diplomatike në të cilat ndodhen Serbia dhe Kosova, vende me pesha të ndryshme karshi faktorëve ndërkombëtar; nuk mund ta shpërfillim faktin se Kosova ka një pjesë të mirë të territorit të vet në veri të pakontrolluar.

Prandaj, na duhet ta shohim këtë marrëveshje nëse ka realizuar tërësisht peshën diplomatike e gjeostrategjike të Kosovës. Le të bëjmë një vështrim në disa pika të marrëveshjes për të parë pro dhe kontrat që mund t’i mveshen asaj.

Po rendis më poshtë pikat pozitive të marrëveshjes:

1. Pika 2 e marrëveshjes e thotë një gjë shumë me rëndësi, atë që vendimi për themelimin e marrëveshjes do të kalojë nëpër Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Po ç’bën Gjykata Kushtetuese? Ajo ka për detyrë ta shohë përputhjen me Kushtetutën të ndonjë vendimi a ligji që ngritet si çështje para saj. Pra, duhet të qartësohet para të gjithëve se vendimi për Asociacionin duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se kjo Kushtetutë Kosovën e definon si Republikë. Dhe, më e rëndësishmja, Serbia është dakord me këtë!

2. Pika 16 dhe 17d që përcaktojnë financimin e Asociacionit, thonë se kjo do të bëhet në përputhje me Ligjin për Prokurim të Kosovës. Ndonëse do të ketë financim nga Serbia, ai do të bëhet në përputhje me ligjin për prokurim të Kosovës dhe kjo bën që ne të jemi në dijeni të cilitdo cent që hyn nga Serbia për të cilat fonde deri tash s’kishim asnjë haber ndonëse jepeshin pa pushim.

3. Përmendja e Ligjeve të Kosovës në disa pika, kur është fjala për veprimtarinë e Asociacionit, është po ashtu me rëndësi. Deri tash dokumentet që janë prezantuar si marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë paraqitur asnjëherë me fjalët “Ligji i Kosovës”, “Kushtetuta e Kosovës” apo “Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, por me terma si “ligji i aplikueshëm në Kosovë”. Me një fjalë kjo është një njohje e subjektivitetit të Kosovës dhe institucioneve të saj, për të mos thënë pavarësisë së saj si një akt formal.

4. E fundit, por jo më pak e rëndësishme është ajo që nënkuptohet se komunat e veriut, që deri sot janë kontrolluar nga bandat kriminale, de jure e de facto, tash e tutje de jure janë nën Republikën e Kosovës. Se a do të vazhdojnë të qeverisin atje bandat varet se a do të vazhdojnë të na qeverisin neve në Prishtinë banditët. Një qeveri mirëfilli dhe e pakorruptuar, në të ardhmen do të mund të bëjë vërtet ndryshime, por kjo varet nga ne dhe jo më nga situatat e kontrolluara prej jashtë.

Më poshtë po shtrojmë pikat negative të marrëveshjes

1. Pika 14 që thotë se Asociacioni do të ketë pasuri të paluajtshme, është e dyshimtë. Varet tani shumë nga Statuti që do të negociohet brenda pesë muajsh nëse është fjala për kompanitë si “Trepça” apo të tjera të tilla të rëndësishme për zhvillimin e tërë Republikës. Dhe, këtu mendoj se duhet mëshuar opozita ashtu që të mbrohen pasuritë e Republikës dhe në njëfarë forme pavarësia ekonomike e saj, e edhe ne po ashtu.

2. Pika 17d në pjesën e dytë të saj, ku përmend lirimin nga taksat, është e paqartë gjithashtu. Me aq sa kuptohet është fjala për Asociacionin si administratë apo si organizatë, dhe në këtë kontekst këtu s’ka asgjë të keqe. Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, OJQ-të e ndryshme tashmë janë liruar nga taksat kur është fjala për arritjen e objektivave të tyre si organizata. Rreziku është që në Statutin e Asociacionit kjo të elaborohet më shumë dhe të vlejë edhe për territorin, çka do ta bënte territorin e komunave të Asociacionit njësi të veçantë brenda Republikës, gjë e cila do të kuptonte një autonomi edhe territoriale që do të mund të çonte drejt një republike serbe të re. Po pra, këtu opozita duhet ta luajë rolin e saj. Ne po ashtu.

3. Në dy pika kur përmenden detyrat e Asociacionit dhe të presidentit të tij, bëhet fjalë për përfaqësime jashtë. Mendoj se në Statut duhet të bëhet e qartë që takime me institucione politike në rrafsh ndërkombëtar të këtyre trupave nuk guxon të ketë, pasi kjo do të nënkuptonte politikë të jashtme, paralele me atë të Republikës së Kosovës, dhe kjo do ta rrezikonte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe do të çonte në krijimin e një republike serbe të re kësaj radhe brenda Kosovës.

Nga ky vështrim na del se shqetësimi pothuajse histerik i këtyre ditëve është i paarsyeshëm. Ka vend për shqetësim në atë se si do të përpilohet ai statut që më rrëqeth kur e mendoj, por marrëveshja e arritur dje është tërësisht në përputhje me Pakon e Ahtisaarit dhe procese tjera të cilat e kanë sjellë Kosovën këtu ku është; procese për të cilat analistët asnjëherë s’kanë kundërshtuar dhe të cilat një pjesë e opozitës i ka shtyrë përpara, me përjashtim të VV-së.

Opozita kundërshtimin e bën për çështje pushtetesh; disa analistë për të akumuluar kapital social; disa nga mosdija; e shumë nga emocionet. Duhet thënë të vërtetën: marrëveshja është maksimumi që mund të arrinte Kosova me politikanët e korruptuar, me reputacionin diplomatik e rëndësinë gjeostrategjike as përafërsisht sa në vitin 1999 dhe e cila nuk e kontrollonte veriun për të cilin u bë gjithë kjo bujë (marrëveshje).

Ajo që duhet thënë po ashtu është se politikanët tanë që po negociojnë nuk kanë dije për ta bërë këtë. Veç një zë i mbytur në dëshpërim i njeriut jo-subjekt dëgjohet sikur nëpër ëndrra: pirolla u koftë amerikanëve!

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara