Tradita e kulturës politike në Kosovë

10:26 | 22 Janar 2019

Shkruan: Arianit Behrami

Për ta trajtuar më thellësisht traditën politike në Kosovë mund të themi se ekziston një traditë politike për shkak se proceset që kanë shpie deri te shtet-ndërtimi, kanë qenë procese të gjata, por që më pastaj kanë ndryshuar rrethanat politike, të cilat poashtu e kanë ndryshuar kulturën politike.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë ka qenë krijuar një traditë politike nga Lidhja e Komunistëve dhe strukturat e saj, e cila ka qenë e njohur për diskursin e saj, për retoriken e saj gjë që nuk mund të thuhet që ajo traditë politike ka funksionuar deri më vitet 80’.

Pas demonstratave të vitit 1981, mënyra e reagimit të pushtetit të atëhershëm politik ishte brutale ishte e ashpër me elitat politike intelektuale shqiptare të asaj kohe, gjë që pastaj rezultoi në harxhimin e asaj kulture politike me prejardhje komuniste, e cila kolapsoi në vitin 1989 totalisht dhe pastaj u zëvendësua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Partitë politike apo themi Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte ndërtuar mbi bazën e një popullizmi dhe një parti, e cila më shumë ka qenë lëvizje sesa parti politike të cilën e njohim në kontekstin e sotshëm se çfarë e përbën një parti politike. Më pas ajo ka filluar të bëjë reformimin e brendshëm, për shak poashtu të rrethanave politike dhe kulturore të cilat e kanë karakterizuar Kosovën. Kjo është periudha kur fillon ndërtimi i një tradite të re politike, i një kulture të re politike që bënë përpjekje të jetë në lidhshmëri me kulturën politike evropiane.

Pas luftës u krijuan edhe disa parti të tjera politike, siç është Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat në fakt ishin parti që dolën si rezultat i luftës në mes të Serbisë dhe Kosovës, e këtu pastaj, ndodh një shkëputje me kulturën politike të krijuar gjatë këtij dhjetëvjeqari 89-99, sepse në Kosovë u krijua ideja e triumfalizmit dhe eksponentët kryesorë të luftës hynë në politikë, por ata hynë pa formim adekuat politik, pa formim adekuat intelektual dhe me një tepricë të legjitimitetit si gjëja se çlirimtarë të vendit.

Në Kosovën e pasluftës, partitë politike u angazhuan që një parti politike të jetë e krahut të luftës dhe një parti tjetër politike të jetë e krahut të paqes. Në fakt këto dy antipode, këto dy rrugëtime të ndryshme arritën ta krijojnë frymën politike, të cilën sot e kësaj dite ne e ndjejmë që nuk është sikurse në vendet e tjera. Ato kryesisht nuk kanë një tendencë të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Janë kryesisht parti politike të cilat mbijetojnë dhe ekzistojnë në saje të prekjes së nervit nacionalist.

Ne sot jemi në pikë të hallit me një kulturë të ultë politike dhe kjo ka shkaktuar pasoja të rënda psikologjike në jetën e qytetarëve, sepse i dhunon i terrorizon ata, ka edhe pasoja të rënda kombëtare se po zhvlerësohen edhe tradita edhe trashëgimia edhe ato vlera që u krijuan në të kaluarën, sikundër që ka edhe pasoja të rënda për jetën demokratike të vendit.

Nga krejt ky lëmsh, mund të konkludojmë se në Kosovë nga pikëpamja koherente mund të themi që kemi një traditë politike, por me shkëputje dhe vazhdime me rënie dhe ngritje edhe përkundër faktit se kanë ndodhur shumë ndryshime dhe investime në fusha të ndryshme, por nuk mund të cilësohet që ka ndonjë model traditë të mirëfilltë politike, sepse është një tranzicion i kombinimeve të paqëndrueshme nga rryma të ndryshme. Do të nevojitet edhe një hapësirë kohore që të mund të kemi një model dhe një traditë politike konstante me të cilin do të mund të identifikohej Kosova.
___________________________________________________________________________________

Shënim: Autori është politolog, sociolog.
Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale