Si duhet të sillet PDK në krejt këtë situatë?

16:09 | 20 Mars 2020 | Shefik Surdulli

Tashmë çdo gjë është e qartë për opinionin rreth zhvillimeve politike në vend, përkatësisht rreth koalicionit qeverisës, të Qeverisë Kurti:

  • prishja e raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit përshkak të shkarkimit të njëanshëm nga ana Kryeministrit Kurti, të një ministri të LDK-së (z.Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike);
  • komunikimi i ashpër dhe i tensionuar ndërmjet dy partnerëve qeverisës;
  • nisma e LDK-së për nënshkrimin e mocionit për mosbesimin e kësaj qeverie;
  • ndarja në dysh e deputetëve të LDK-së  sa i përket kësaj nisme, etj.

Në anën tjetër, kemi propozimin e dekretit, nga ana e presidentit të Republikë së Kosovës, z. Hashim Thaçi, drejtuar Kuvendit të Kosovës, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë Covid 19, poashtu me refuzimin apriori të kryeministrit Kurti.

Pra, krejt kjo, me të drejtë ka shkaktuar brengosje dhe shqetësim të qytetarëve tanë kur kihet parasyshë edhe rreziku i lartë kanosës nga pandemia e Corona virusit, me të cilin po përballet pothuaje e gjithë bota.

Turbulencat politike krejtësisht të panevojshme, s’do mend, të shkaktuara nga papërgjegjësia dhe kalkulimet politike të kryeministrit Kurti, që ka provokuar situatën edhe ashtu të brisht, duke sjellë kështu atë në një udhëkryq të rrezikshëm për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të sigurisë kombëtare, poashtu.

Prandaj, duke qenë i bindur, se çfarëdo opsioni – kalkulimi, për mbijetesën e Qeverisë Kurti, do të shkaktonte turbulenca edhe më të mëdha në menaxhimin e krizës së pandemisë dhe asaj politike mes partnerëve qeverisës dhe në përgjithësi, e cila tashmë ka humbur sensin e një qeverisje  kredibile, mendoj se:

Është në interes të tejkalimit të situatës së tanishme, siç e kam përshkruar më lart, që PDK duhet ta mbështesë mocionin për mosbesimin e Qeverisë Kurti. Pastaj, në koordinim dhe mirëbesim ndërmjet partnerëve mbështetës të mocionit, domosdoshmërish në zbatim të kushtetutshmërisë, të formohet qeveria e re (sido që të quhet ajo : teknike, gjithëpërfshirëse apo e unitetit), deri në tejkalimin e plotë të situatës emergjente të pandemisë së Korona virusit, në mënyrë që në  vjeshtën e këtij viti të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale.

Në krye të Qeverisë së re, mendoj se nuk do të duhej të vihet asnjëri prej liderëve të partive politike (të koalicionit të ri) e aq më pak, nuk do të duhej që ai të jetë z. Kadri Veseli, për arsyet parimore dhe të konsistencës së lidershipit të tij në raport me zhvillimet politike prej 6 tetorit 2019, e këtej, kur PDK kaloi në opozitë.

Qeveria e re, duhet të këtë të vetmin prioritet, mobilizimin e përgjithshëm për t’u përballë me situatën pandemike COVID 19, të cilit prioritet duhet t’i paraprijë gjithsesi heqja e plotë e menjëhershme e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe BeH (si kusht i nevojshëm për stabilizimin e marrëdhënieve tona shtetërore me SHBA dhe BE dhe bashkëpunimin e ndërsjellë) si dhe mbështetjen e Kuvendit për propozim-dekretin kushtetues të presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës.

Çfarëdo alternative tjetër, mendoj se do ta qonte vendin në një krizë akoma më të thellë, nga e cila pastaj, do të ngushtoheshin rrugët për daljen nga një situatë tjetër, e re e krizës, për të cilën PDK nuk do të mbante përgjegjësi.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës, besoj që do të demonstrojë lidership serioz dhe të përgjegjshëm në këtë situatë mjaftë të rëndë, duke shtuar vëmendjen dhe kujdesin e saj lidhur me mocionin e ngritur nga LDK dhe e mbështetur nga partnerët opozitar, në mënyrë që të mos bie pre e kalkulimeve politike të papërgjegjshme të partnerëve qeverisës LVV e LDK, që shkon në dëm të qytetarëve dhe në dëm të vendit në përgjithësi, sidomos tash në këtë gjendje të jashtëzakonshme të pandemisë së Korona virusit.

(Shefik Surdulli, anëtar i KD të PDK, dega në Gjilan dhe këshilltar komunal)

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara