Shishtaveci, miti dhe realiteti

09:18 | 31 Gusht 2015

Nga: Azem Parllaku

Promovimi i vlerave që mbart kjo zonë, është kthyer në një motiv zotërues dhe gjithnjë i pëlqyer, jo vetëm për ata të cilët, janë të lidhur historikisht e shpirtërisht me zonën, por edhe për shumë të tjerë kureshtarë, pse jo dhe inspirues, që e vlerësojnë në mënyrë racionale këtë promovim.

Kur mendon, cili ka qenë burimi ujit në këto anë, ku mund të jesh ulur së pari për të pirë, nuk mund të mos u japësh të drejtë vendasve dhe të huajve si vizitorë, të cilët e quajnë këtë hapsirë gjeografike “një mrekulli dhe kulturë të gjallë”.

Një hapsirë, ku dhjetra katunde janë shpërndarë në kërthizë dhe barkun e këtyre maleve, me njerëz që mbajnë zgjuar kujtimin e prejardhjes së lashtë, pohon identitetin e kësaj bashkësie, e cila është pjesë e historisë dhe realitet i gjallë i kohës sonë.
Sigurisht që kur disa individë arritën, ta vendosin veten në pozicione dominuese këtu, asociuan veten e familjet e tyre, për të na bërë ne kureshtarë të legjendave dhe për heronjtë e miteve.

Duke bërë kështu ata u përpoqën, të krijonin historinë e tyre si popull, gjë e cila rezultoi të jetë e suksesshme.
Të ngulitur në këto pllaja, prej nga duken në ditë të kthjellët Alpet e Shqipërisë, Korabi e malet e Sharrit, këto katunde mbijetuan në këto anë dhe ruajtën individualitetin e tyre.
Relievi këtu dallohet nga shpate të shprehura qartë dhe të pjerrëta të përpunuara nga erozioni ujor e akullnajor, ndërsa kurrizi përfaqëson një rrafshnaltë me lartësi mbi njëmijëepesqind metra.

Klima këtu është alpine me dimër të ftohtë, me ngrica e borë që formon shtresë të qëndrueshme në majat e maleve. Vera është e shkurtër, e freskët dhe e lagësht. Në shpatet e maleve burojnë ujërat, e hasen ujmbledhës të vegjël me origjinë akullnajore.

Ahu, halorët, mështekna, dushku, janë drurët që hasen kudo, ndërsa kullotat janë të pasura në bimësi dhe lule.
Kafshët e egra, shpendët, zvarranikët dhe insektet janë përshtatur nën sqetullën e stinëve.
Është për t’u vënë re se pikërisht brenda kësaj hapsire, gjalloi nëpër mote jeta .
Ajo ishte një jetë e mbyllur, gjithmonë e vetmbrojtur me barriera të fuqishme gjeografikisht e shpirtërisht.

Duke bërë kështu një jetë më të pamvarur, e duke jetuar harmonikisht në bashkësi të ngushtë, këto katunde do të kishin gjuhën e tyre, doket e zakonet e veta, do të manifestonin vyrtyte e veçori të karakterit që do t’i dallonin.

Historia e popullit në këto anë, ka qenë një luftë e pandërprerë, një ndeshje jo vetëm me natyrën, por dhe me dhunën e sistemeve në kohë të ndryshme.
Në këtë luftë të gjatë e të vështirë, atyre u vinte në ndihmë besimi tek Zoti, kujtimi i të parëve, që i kishin ngritur katundet e tyre në kërthizë të këtyre maleve, me dritaret e shtëpive që shikonin nga dielli, e duke skalitur në krye të çdo pragu shqiponjën dykrenare, këtë simbol të shqiptarisë.

E gjithë jeta zakonore është përjetim i vazhdueshëm, brez pas brezi, e pasur shpirtërisht dhe e larmishme.
Një rikthim tek kroi i vjetër, të çon ndërmend të gjithë legjendat, mitet, e çfarë ke mësuar nga historia, pse jo dhe çfarë ke përjetuar, për të mbetur në lidhje të fuqishme me tokën tënde.
Është, ajo tokë e familjeve të mëdha me burra të zgjuar në konak e gra fisnike të votrave.
Në atë konak, ku besa e mikpritja kanë mbetur ashtu të shenjëta.
Vetë malësia në këto anë, ka qëndruar kështjellë, përbri gjurmëve të kalave të moçme, si në një amfiteatër me përmasa jo të zakonshme.

Në ato votra, nën çatitë e gurta u janë kënduar ninulla malësorëve e malësoreve të thjeshta, kalorësve e pelivanëve, pashallarëve e luftëtarëve, gjeneralëve e politikanëve, njerëzive të dijes dhe shkencës.
Këtu, dhimbja e kurbetit është gdhendur në këngët fort të përmallueshme, e ajo jehon së largu, por shumë më shpesh në ditët tona.

Fizionomia kryesore këtu mes njerëzve në të kaluarën dhe sot, është mirëkuptimi, që e ka bërë dukshëm të dallueshme këtë bashkësi.
Duke e njohur njerëzit ne katundet e komunave Shishtavec, Topojan e Zapod, kupton se ata i përshkon një frymëmarrje e ngrohtë qytetarie e patriotike.
Patriotizmi e qytetaria shfaqet me një diapazon të gjërë, ato nisin nga evokimi e nostalgjia për vendin dhe të parët, duke arritur deri tek notat krenare e ngazëlluese, që hasen shpesh në mesin e këtyre bashkëpatriotëve.

Është për t’u vlerësuar fakti, që të larguarit e shumtë nga këto anë, prapë i veshin një tis melankolie meditimit dhe rrëfimeve të tyre.
Nëse do të luash në tastierë, është e pashmangshme tërheqja, e kureshtja për të ndaluar në motivet meditative, që u bëhen personazheve dhe vendit. Ato të paraqiten të menduara dhe emocionalisht aktive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara