Roli kushtetues i presidentit në krijimin e qeverisë dhe një lexim i letrave të tij

10:16 | 11 Janar 2020

Janë dy dokumente themeltare që e rregullojnë aspektin e formimit të qeverisë, respektivisht Kushtetuta e Kosovës në nenin 95 të saj, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, të cilat nuk e përcaktojnë në mënyrë shprehimore rrethanën kur partia e cila ka dalë e para në zgjedhje mund ta refuzojë caktimin e mandatarit (emrin e kandidatit për kryeministër). Kjo më tepër lexohet si rrethanë politike e zhvillimit të ngjarjeve – të cilat Kushtetuta e Kosovës nuk i ka paraparë. I heshtur në këtë aspekt është edhe Aktgjykimi në fjalë, si normë komplementare kushtetuese.

Meqenëse sipas interpretimit kushtetues të dispozitave të nenit 95 (Zgjedhja e Qeverisë) çështja e caktimit të mandatarit nga ana e partisë fituese të zgjedhjeve është një operacion i cili kryhet nga vet partia, ajo duhet përmes një shkrese t’i drejtohet presidentit dhe ta jap të nominuarin e saj për kryeministër. As Kushtetuta dhe as Aktgjykimi nuk e parashohin (heshtin) se sa mund të zgjas kjo periudhë e propozimit të partisë fituese për Presidentin e Republikës. Ajo çka dihet është se presidenti nuk mund ta ushtrojë i vetëm këtë obligim kushtetues pa propozim të partisë fituese, pasi që kjo situatë nuk është një operacion individual i shefit të shtetit por, një detyrim kushtetues i aktivizimit të tij vetëm pasi ai ta merr propozimin nga partia fituese e zgjedhjeve.

Në këtë kuptim duhet të analizohet edhe çka është diskrecioni i presidentit dhe deri ku mund të shtrihet ai, në mënyrë që mos të prodhojë arbitraritet në ushtrimin e kompetencës së tij sipas nenit 95 të Kushtetutës.

II

Rëndësia e qartësisë së normës kushtetuese në formimin e qeverisë në vendet me demokraci kushtetuese, duhet kuptuar mirë sepse ajo varet nga funksionimi praktik i sistemit politik. Jo të gjitha situatat politike të raportit të bisedimeve ndërmjet partive mund të parashihen me Kushtetutë. Sidoqoftë, në shtetet e reja me demokraci të brishtë si Kosova, ose në shtetet kur rregulla të tilla kushtetuese kuptohen dobët ose zbatohen dobët, zakonisht është e nevojshme që interpretimet të jenë më specifike dhe të qarta.

Presidenti i Kosovës sipas Kushtetutës ka kompetenca të natyrës jo ekzekutive, prandaj roli i z. Thaçi në formimin e Qeverisë së Kosovës është i kufizuar në raportin e tij kushtetues me partinë politike që ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit (Lëvizja Vetëvendosje). Është veçanërisht e rëndësishme të thuhet se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ia njeh këtë rol Presidentit në përcaktimin e rregullave të formimit të qeverisë. Ai ka rol neutral dhe është vetëm nënshkrues i dekretit për caktimin e mandatarit – akt që lëshohet vetëm pasi që t’i vjen atij propozimi nga partia fituese-relative e zgjedhjeve.

III

Letra e sotme e Presidentit Thaçi drejtuar z. Albin Kurti, të mandatuarit për Kryeministër nga LVV-ja duhet kuptuar si kërkesë për përshpejtimin e nominimit të tij, akt i cili duhet bërë përmes një dokumenti shkresor dhe kjo letër nuk duhet parë si një veprim presidencial me implikime kushtetuese për partinë fituese. Vetëm pasi që partia fituese e zgjedhjeve (LVV) t’ia dërgojë dokumentin presidentit Thaçi ku e bën të qartë nominimin e saj dhe emrin e të mandatuarit – atëherë z. Thaçi mund të lëshojë dekretin për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Në rast se z. Kurti nuk arrin ta formojë qeverinë 15 ditë pas dekretimit të tij, atëherë presidenti duhet t’i thërras të gjitha partitë politike parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të konsultohet për gjetjen e zgjidhjes për formimin e qeverisë, pasi që ai detyrohet ta ruajë neutralitetin ndaj palëve dhe ta garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara