Prania e heshtur e Kadri Veselit dhe rritja e influencës

15:53 | 26 Mars 2020 | Elvinë Sefiu

Indiferent dhe i pa inkuadruar në të gjithë tollovinë që plasi ndërmjet Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Prania e heshtur e Kadri Veselit, krahas “planeve” të këtyre dy partive politike mund të jetë frymëzuese, dhe jo vetëm për lidershipin e Partisë Demokratike të Kosovës.

I vëmendshëm përball çdo zhvillimi social, dhe injorues ndaj të gjithë atij spektakli të të gjithë atyre vartësve që të vetmen aftësi më të zhvilluar duket se e kanë vetëbesimin.

Pothuajse tri ditë nuk u deklarua Kadri Veseli për mocionin, për ta lënë deklarimin për medie pastaj si të vetmin qëndrim karshi asaj që po ndodhte se “mbështesim mocionin për rrëzimin e Qeverisë”.

E kemi praktikë të kontrollojmë profilet e liderëve në rrjete sociale, pasi komunikimi është intensifikuar përmes tyre shkaku i izolimit, si mbrojtje ndaj koronavirusit.

Asnjë përfaqësues politik i PDK-së nuk shprehën ndonjë qëndrim në lidhje me atë që po ndodhte, të mërkurën.

PDK-ja në kohën e pandemisë nuk dëshiron zgjedhje, por një plan për zgjidhje tashmë është në duart e presidentit, Hashim Thaçi, nëse do të shpërbëjë Parlamentin, apo partitë do të merren vesh për ndonjë alternativë tjetër.

Ajo që ndodhi një ditë më parë është krejt e arsyeshme të vlerësohet si “akt” i vet dorëzimit të Qeverisë së Kosovës, LDK-ja me direktiva, e Vetëvendosje për “kalkulime” partiake.

“Aktin” e përmendi nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, për të vendosur pikën në emër të kësaj partie.

Për 11 orë, as vetë Kadri Veseli, nuk pati as edhe një fjalë në seancën që rrëzoi Qeverinë, duke mbetur spektatorë i qërimit të “hesapeve politike” ndërmjet përfaqësuesve të Vetëvendosjes e LDK-së.

Nuk është vetëm kjo javë që tregoi cilësi të lidershipit. Veseli dështimin në datën e 6 tetorit të vitit të kaluar e komunikoi, duke u vendosur në krye të opozitës parlamentare. Ai qe i gatshëm të përballojë me finesë rezultatin.

Uroj që Albin Kurti ta ketë kuptuar se arritja e qëllimit nuk e bënë lider, e Veseli pa rezerva shpërfaqi qëndrimin se kjo ikje, në formë të tillë, është e padenjë  në kohën kur do të duhej të punonte për unitet e bashkëpunim dhe jo për përçarje e ndasi.

Mbetet të shihet zotimi i Veselit se nuk do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti, dhe se do të ruajë interesin strategjik nacional, dhe të shohim nëse do të arsyetojë heshtjen në funksion të krijimit të sigurisë dhe të ardhme për qytetarët dhe shtetin.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info. Ajo ka punuar për më shumë se dhjetë vjet në medie si gazetare dhe redaktore)

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara