PISA “turpëruese” 2018

11:24 | 3 Dhjetor 2019 | Elvinë Sefiu

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) bëri publike rezultatet e testit PISA 2018, që edhe kësaj radhe ishin turpëruese.

Kosova ishte e treta në renditjen prej fundit në lexim, e katërta ishte prej fundit në renditje për matematikë dhe shkencë.

Shumë më mirë qëndrojnë Serbia, Shqipëria e Mali i Zi, ndërsa Maqedonia e Veriut është pak më mirë se ne.

Çfarë e bënë të turpshëm këtë rezultat?

PISA e përcakton leximin si të kuptuarit, përdorimin, reflektimin dhe angazhimin e një teksti për të arritur qëllimet, për të zhvilluar njohuritë dhe potencialin e një personi për të qenë aktiv në shoqëri. Në këtë pikë, Kosova është larg mbrapa mesatares së paraparë nga OECD. Kjo nënkupton aspektin mekanik të nxënit, dhe jo atij logjik.

Performanca matematikore, për PISA, mat letërsinë matematikore të një 15-vjeçari për të formuluar, përdorur dhe interpretuar matematikën në një sërë kontekstesh për të përshkruar, parashikuar dhe shpjeguar fenomenet, duke njohur rolin e lojërave të matematikës në botë. Rezultati mesatar është masa. Edhe në këtë pikë, ja kemi huqur t’i përgatisim nxënësit, duke i folur për numrat, por jo edhe për interpretimin e tyre. Rezultatet e mira që dimë t’i kemi nëpër gara ndërkombëtare në matematikë, tregojnë se i njohim numrat, por nuk i interpretojmë.

Edhe rezultatet në shkencë tregojnë se cilësia e arsimit nuk ka pse të sakrifikohet kur rritet aksesi në shkollim.

Nuk ka si të jenë ndryshe këto rezultate për Kosovën, kur e dimë se çdo përpjekje për të ndryshuar sistemin arsimor të mendësisë së ish-Jugosllavisë, u has në rezistencë përmes grevave dhe kërcënimeve për protesta.

Një vlerësim i tërësishëm sistemit arsimor që fillon me kurrikulat, tekstet shkollore e deri tek mësimdhënësit është një adresim urgjent që duhet të fillohet nga ata që do të marrin timonin e këtij dikasteri.

Preokupim kryesor i politikbërësve duhet të jetë arsimimi i suksesshëm përmes politikave dhe praktikave efikase.

Vetë OECD mund të ndihmojë drejtë këtij qëllimi. Vetë sekretari gjeneral i kësaj organizate, Angel Gurría, e shprehë këtë mbështetje.

“PISA nuk është vetëm më e gjithanshme në botë dhe tregues i besueshëm i aftësive të studentëve. Pra, është një mjet i fuqishëm që vendet dhe ekonomitë mund të përdorin për të rregulluar politikat e tyre arsimore,” janë disa fjalë të Gurría, që duhet t’i interesojnë të gjitha instancave shtetërore në Kosovë, përgjegjës për këtë dështim.

(Autorja është kryeredaktore në portalin arbresh.info)

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara