Përse duhet dëgjuar çfarë thotë Nishani!

08:37 | 18 Gusht 2015

Nga: Mero Baze

Sa herë që Bujar Nishani kthen ndonjë ligj apo bën ndonjë gjest të fortë pro PD­së, ka nervozizëm ndaj tij. Ai akuzohet si president i varur nga PD­ja, si njeri që bën çfarë i thonë etj.

Në të vërtetë, Bujar Nishani është presidenti më i parashikueshëm që ka pasur Shqipëria ndonjëherë.

Nuk të lë rast të sforcohesh për veprimet e tij të radhës. Për të kuptuar si do të veprojë ai, mjafton të dëgjosh ç’mendon portieri i godinës së PD­së dhe nuk ngatërrohesh kurrë. Por, kjo nuk është cilësia më e keqe e tij.

Kjo ndoshta është më e mira që ka, pasi është një politikan i llogaritshëm, i peshueshëm paraprakisht dhe i padëmshëm nga pikëpamja politike, pasi është në një qëndrim me PD­në. Qysh kur është bërë president, ai nuk ka devijuar nga qëndrimet e PD­së, jo për çështje madhore, por as për detaje të panevojshme politike, për të cilat kanë devijuar plot politikanë të PD­së, siç është p.sh braktisja e parlamentit.

Ky është i vetmi president që e ka mbështetur dhe bojkotin parlamentar, vetëm që të ishte në një linjë me Berishën. Kjo është dhe një arsye madhore përse ky njeri duhet dëgjuar kur flet, edhe pse ti e di çfarë do të thotë.

Kjo, sidomos për procese të tilla delikate siç është reforma në drejtësi dhe ku presidenti duhet të kishte rol kryesor. Reforma në drejtësi, gjatë këtyre shtatë muajve që ka nisur të marrë formë, ka pasur braktisjen e thellë të presidentit, i cili ka braktisur detyrimet e tij institucionale dhe ka tentuar t’i bashkohet reformës për ta bllokuar atë, kur është kthyer në tryezë PD­ja. Pra, ka qenë tërësisht luajal dhe i lexueshëm si njeri i PD­së në këtë histori.

Kur reforma ka nisur shtatë muaj më parë, Komisioni i Reformës ngriti një komision të ekspertëve të nivelit të lartë, ku thirri dy misionet e ndihmës ligjore, atë të BE­së dhe SHBA, misionin e OSBE­së, atë të Komisionit të Venecias, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Shkollën e Magjistraturës, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe KLD­në. Të gjitha këto institucione u përgjigjën pozitivisht. Madje Misioni i EURALIUS, i BE­së, i është përkushtuar tërësisht në axhendën e tij reformës për drejtësi. Misioni amerikan i ndihmës ligjore po ashtu. Komisioni i Vencias ka vënë dy vëzhgues të ndjekin çdo hap të saj për të këshilluar në kohë për ndërhyrjet në Kushtetutë. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese po ashtu kanë dëshmuar një seriozitet dhe kanë dërguar ekspertët e tyre.

Të njëjtën gjë ka bërë Prokuroria dhe Shkolla e Magjistraturës. I vetmi institucion që refuzoi të merrte pjesë në këtë komision të nivelit të lartë të ekspertëve që do të bëjnë reformën, ishte presidenti i Republikës, i cili duke kontrolluar KLD­në refuzoi të dërgojë përfaqësues të saj në këtë komision, me pretendimin që janë jashtë kësaj historie. Lajm më të sinqertë se çfarë mendonte Berisha për këtë çështje nuk mund të gjeje. Kur komisioni u konsolidua me bashkëkryetarë ndërkombëtarë të BE­së dhe SHBA­së dhe kur në çdo komision që merret me cështje specifike ka nga një përfaqësues të huaj që bashkëpunon me palën shqiptare, PD u “bind” t’i bashkohej reformës dhe në mënyrën më banale, presidenti në këtë kohë kërkoi që të kishte dhe KLD­ja përfaqësues të saj në këtë reformë. Kjo e përforconte faktin, se çfarë po tentonte Berisha, duke bërë sikur do përfshihej në reformë.

Nuk dua të shpjegoj ç’vlerë ka kjo, a ia ven t’i pranosh a t’i zbosh njerëzit e tij, pasi dhe ashtu ka ofruar ca surrogatë, por varësia e tij ekstreme deri në këtë shkallë nga aktet politike të PD­së duhet parë si një mënyrë për të lexuar çfarë mendon realisht Berisha në PD. Reforma në drejtësi nuk është një bast i Edi Ramës, por një detyrim i tij ndaj Perëndimit, për të cilin nuk jam shumë i sigurtë se është i lumtur, nëse shkon kaq thellë sa po shkon.

Ajo është një iniciativë e Perëndimit për të shkundur drejtësinë në Shqipëri, për të bërë ndërhyrje drastike në Kushtetutë dhe për të mbyllur përgjithmonë historinë e koorporatës më të madhe të krimit në këtë vend, që është vet drejtësia. Bujar Nishani nuk është ndonjë qytetar i rrezikuar nga drejtësia, pasi e ka ndihmuar Zoti. Nuk ishte ministër i Brendshëm më 21 Janar, nuk ishte ministër Mbrojtje në Gërdec dhe as nuk ishte ministër Transporti kur u bë “Rruga e Kombit”. Nuk është ndonjë zyrtar që ka qenë simbol i korrupsionit, pasi është aq i vogël dhe meskin sa është marrë me ato punët e veta, kryesisht pronat e gruas dhe ndonjë pallat dhe ka ndenjur mënjanë. Kështu që nuk mund të themi se Nishani e pengon reformën në drejtësi se ajo rrezikon të ardhmen e tij, siç mund të trembej dikush tjetër.

Në këtë rast, Bujar Nishani vlen si lakmus i qëndrimeve afatgjata që ka PD­ja ndaj reformës. E pashë këtë sidomos disa ditë më parë, kur iu referua ndryshimeve të mundshme kushtetuese për reformën në drejtësi, si një gjë që nuk e ka në dorë politika, por referendumi dhe populli. Një mijë studime të bësh dhe një mijë spiunë të paguash, më lehtë se ta thotë Bujar Nishani ç’mendon Berisha dhe çdo bëjë ai me reformën nuk ta thotë njeri. Me pak fjalë, Nishani dekonspiroi që Berisha nuk do t’i japë votat për reformën. I duhet marrë pozitivisht kjo pjesë. Pjesën tjetër kërcënuese për referendum nuk dua t’ia quajmë dhe për Basha paralajmëron protesta në shtator, ndryshon edhe foton në faktin e vetëm, se të bësh një referendum sot në Shqipëri pro apo kundër këtij sistemi drejtësie fiton me 99 përqind “Po”. Dhe problemi është se Bujar Nishani nuk ka ndonjë dëshirë ta pengojë apo ta ndihmojë atë.

Ai thjesht ka dëgjuar Berishën që nuk i jep votat për reformën dhe e nxorri nga shpirti këtë gjë. Ndaj nervozizmi publik me të për gjestet pro PD­së duhet të marrë fund. Ai duhet marrë si një njeri që e dimë çfarë mendon kur flet pas Doktorit, por duhet dëgjuar kur flet para tij, se mund të mësojmë çfarë mendon Doktori. Luli nuk hyn në punë tani për tani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara