Pas Berlinit nuk ka vend për festë

13:55 | 27 Shtator 2019 | Andi Bushati

Për të kuptuar më mirë atë që u votua të enjten në Bundestagun gjerman dhe atë që Berlini do ti propozojë Këshillit Europian në mes të tetorit, për hapjen e negociatave me Shqipërinë, është e dobishme ti rikthehemi fjalës që mbajti një nga deputetët gjermanë.

Florian Hahn, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për Evropën i pyeti kolegët e tij: “Çfarë të bëjmë, ta lëmë Shqipërinë vetëm?” Dhe si për ti dhënë vetë përgjigje një pyetje retorike ai vazhdoi: “Do të humbim një rast historik, nëse i kthejmë shpinën Shqipërisë”.

Shtrimi i këtyre dilemave, që përbëjnë thelbin e diskutimeve të zhvilluara në Berlin, tregojnë se aty, më në fund, është vendosur që të na jepet një lëmoshë, të mos na kthehet shpina, megjithëse nuk e meritojmë hapjen e negociatave, të na thuhet një “PO ” e kushtëzuar, jo se e meritojmë në të tashmen, por për të mos na shkatërruar shpresat e së ardhmes. Aty del qartë se opsioni për të na kthyer kurrizin, për të na ndarë përfundimisht edhe nga Maqedonia, pasi kemi mbetur me kohë pas Sebisë dhe Malit të zi, ka qenë real.

Kjo gjë u pa edhe në shumë detaje të tjera.

Së pari boll të krahasohet rezoluta gjermane për ne dhe ajo për fqinjët tanë lindorë, për të kuptuar diferencën. Maqedonia e Veriut i hap negociatat pa asnjë kusht. Ajo e zhvillon konferencën e parë ndërqeveritare, e cila prezumon dhe aktin formal të hapjes, ndoshta që brenda këtij viti.

Ndërsa ne mbetemi në vend.

Do të duhet të ngremë gjykatat e lartë dhe Kushtetuese, do duhet të përfundojmë reformën konsensuale zgjedhore që të ulemi në tryezën e bisedimeve ndërqeveritare. Pra mjafton edhe ky fakt për të kuptuar se negociatat nuk janë hapur. Fjala vjen sikur palët mos bien dakord për modalitetet e reformës, sikur ato të fillojnë gër mëret e zakonshme, nuk do të ketë fillim negociatash.

Po e pamë këtë proces të krahasuar me praktikat që janë zbatuar për vendete tjera, situata rrezulton edhe më e errët. Psh, Mali i Zi e ka zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare vetëm pak ditë pasi iu hap drita jeshile nga vendet anëtare. Serbsë kjo i ka zgjatur një muaj. Ndërsa për ne nuk ka as afat dhe as datë, por vetëm kushte.

Dhe me që jemi këtu ia vlen të rikujtojmë qershorin e vitit 2018, kur Edi Rama hapte shampanjën e fitores duke brohoritur se kemi një datë se kur do ti fillojmë negociatat. Ajo datë jo vetëm kaloi, por ne nuk e kemi më një të tillë. Pra, kjo tregon, se tendenca e tanishme është edhe më e errët se ajo e një viti e gjysëm më parë.

Akoma më të pa shpresë e bën pamjen e përgjithshme fakti se gjermanët ende pa na dhënë në duar karrotën, po na tregojnë shkopin. Kështu, në dokumentin e votuar në Berlin flitet edhe për mundësinë se kur mund të na i anullojnë negociatat. E ky është një paragraf që tregon direkt me gisht kryeministrin Rama. Aty fshikullohen aventurat e tij për ndarjen e kufijve, provokimet e tij për bashkim kombëtar, që etiketohen si tendenca për krijimin e në Shqipërie të madhe që mund të destabilizojnë gjithë rajonin.

Kërcënimi gjerman/ “Ndaloni deklaratat për Shqipërinë e madhe, anullohen negociatat”

Në këtë kontekst, kjo goditje e ashpër merr një peshë të veçantë. Sepse prej 30 vjetësh, edhe kur kemi kaluar krizat më të thella edhe kur kemi pasur problemet më të mëdha, persolalitetet dhe raportet ndërkombëtare, kur nuk kishin asnjë fjalë të mirë për të na thënë, lëshonin shprehjen standart: “Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon”. Falë qëndimeve dhe planeve konspirative të kryeministrit edhe kjo klishe po kriset. Madje ajo po përvijohet si kusht, për të na anulluar negociatat që ende si kemi hapur.

E fundit dhe më politikja, në dokumentin e votuar në Bundestag është pranimi faktit, se vendi gjendet në krizë. Për një kohë të gjatë, që kur opozita vendosi të djegë mandatet dhe të bojkotojë më pas zgjedhjet lokale, qëndrimi i pushtetit dhe i lehaqenëve të tij ka qenë se kjo nuk është një krizë e Shaipërisë por një hall personal i Bashës e Berishës, Metës e Kryemadhit. Dokumenti gjerman e hedh poshtë këtë teori mendjeshkurtër të propagandës qeveritare. Ai e shpall me plot gojën krizën dhe vendos disa kushte të forta për zgjidhjen saj duke kërkuar rishqyrtimin e legjitimitetit të 30 qershorit dhe dënimin e shpejtë të grabitësve të votave.

Pikërisht këto arsye e bënë deputetin gjerman Han të fiste për versionin real të lënies vetëm të Shqipërisë dhe të kthimit të shpinës kundrejt saj. Ky obsion ka pasur mbëhtetës dhe argumente realë. Dhe qe pikërisht qe ai që peshoi në vendimin lëmoshë që u mor në fund: që as mos na thonë “JO”, as mos na i fillojnë negociatat, as mos na rrefuzojë, as mos na japin datë, pra, edhe të na e mbajnë derën hapur edhe të na bombardojnë me kushte, edhe në na tregojnë karrotën edhe të na kërcënojnë me anullim.

Ky është konkluzioni i asaj që Gjermania do ti propozojë aleatëve të saj të BE për Shqipërinë, e që sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe vendimi përfundimtar. Dhe kushdo që di ta lexojë atë, e kupton që nuk ka aspak vend për festë. Aq më pak për thirrjet qesharake “faleminderit Anxhela” dhe “danke dojçland”./lapsi.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara