Në jug të Çamërisë së sotme, jeton gjaku im, gjaku yt, gjaku juaj, që nuk mund të falet e të tjetërsohet!

09:37 | 13 Mars 2018

Trojet Iliro-pellazge dhe pretendimet e ekstremistëve grekë

Nga Eglantina BAJRAMI

Fuqitë e Mëdha, në 1913 për të penguar daljen e Rusisë në Adriatik si dhe për të kënaqur aspiratat territoriale të monarkive ballkanike, si Bullgarisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë, të cilat kishin fituar luftën kundër Perandorisë Osmane, miratuan skenarin e krijimit të shtetit të ri shqiptar duke lënë jashtë kufijve vise të tëra shqiptare, si Kosova, vise në Mal të Zi dhe në Maqedoni.

Por në saj të përpjekjeve të mëdha dhe gjakut që u derdh, në 100-vjetorin e pavarësisë, Kosova është e lirë dhe e pavarur, kjo është një fitore e madhe për kombin tonë.

Kjo përsa i përket pjesës veriore të vendit, por le të zbresim poshtë në pjesën jugore të tij.

Nuk mund të lë pa përmendur ëndrrën e çmendur të Greqisë, për aneksimin e të ashtuquajturit “Vorio Epir”, si dhe krahinën e Çamërisë që e aneksuan në 1913.

Me të ndoqën politikën e spastrimit politik duke i degdisur në Azinë e Vogël, pse gjoja ishin turq. Më 1914 fshatrat me popullsi krishtere i dogji e i shkrumboi, pasi nuk pranuan të ngrinin flamurin grek.

Për arvanitasit thonë që janë grekë, po flasin shqip. Nuk hapën asnjë shkollë shqipe për banorët, ndërkohë kërkonin me ngulm hapjen e shkollës greke jo vetëm në zonën minoritare, por dhe në Himarën iliro-arbëreshe.

Nuk u mjaftuan me kaq, më 1945 ndodhi tragjedia më e madhe ç’njerëzore me çamët, të cilët brenda një nate u detyruan të largohen nga trojet e tyre.

Le t’i kthehemi pak lashtësisë, për të njohur më mirë shtrirjen gjeografike të Ilirisë dhe copëtimin e mëvonshëm të kombit tonë. Që nga periudha e Neolitit deri te periudha Hekurit, pra që para 4000 – 3000 vjet p.e.s. në gadishullin e Ballkanit jetonin Ilirët, që shtriheshin në pjesën perëndimore të tij.

Në lindje kufizoheshin me thrakët dhe në jug me helenët. Viset e dikurshme të Ilirisë së veriut shtriheshin tek Sllovenia, Kroacia, Dalmacia, Bosnje-Hercegovina e Serbia e sotme.

Në veri, Ilirët shtriheshin deri në degët e lumit Danub, në lindje Iliria ndahej nga thrakët nga lumenjtë Vardar e Morava, kurse në jug, kufiri i shumëpërfolur i Epirit të ri e të vjetër arrinte deri te Gjiri i Ambrakisë në Prevezë, këtu ndaheshin nga helenët, ose grekët e sotëm.

Ilirët nuk janë të ardhur, por janë autoktonë në trojet e tyre. Autorët antikë si Homeri, Straboni, Diodoni i Sicilisë etj, përmendin emra të fiseve Ilire, si: Taulantët, Ardianët, Thesprotët, Mollosët, Dardanët, Kaonët etj. Të dëgjuar si prijës ndër më të shumtët janë: Glauko dhe Pirua i Epirit, Kajnoni i Molosëve, Agroni, Teuta dhe Skerdilajdi i Ardianëve në veri.

Dardanët në verilindje, pra Kosova e sotme. Ilirët i kanë rrënjët të ngulura thellë në popullsinë e lashtë Pellazge. Pellazgët, pra parailirët, jetonin në gadishullin Ballkanik, në Pellgun e Mesdheut e Azinë e Vogël.

Popullsia shqiptare rrjedh nga Arbërit, Ilirët deri te rrënjët, te Pellazgët. Është një zinxhir i pandërprerë gjatë rrjedhës së historisë shekullore, janë një gjenezë, një gjak, një gjuhë e një kulturë.

Dëshmi e gjallë e historisë Ilire janë gjurmët e qytetërimit të lashtë të Dyrrahut, Apollonisë, Orikut, Aulonës, Bylysit, Fojnika, Olimpia etj.

Po le të shohim pak ç’ndodhi me popullsinë epire. Romakët pas luftrash të gjata me ilirët nga viti 168 p.e.s. e nënshtruan Ilirinë dhe e copëtuan atë.

Ilirinë e jugut e ndanë në katër provinca me qendër Shkodrën, Dardaninë me qendër Shkupin, Epirin e Ri me qendër Durrësin dhe Epirin e Vjetër me qendër Nikopojën. Gjithë vendbanimet në jug me kufi verior Vjosën bënin pjesë në Epirin e Vjetër, ose Epirin e Poshtëm.

Në krahinën e Epirit të Vjetër që niste nga veriu me Vjosën e Shkumbinin deri në gjirin e Artës, (Ambrakisë) bënte pjesë: Lumi i Vlorës, Bregu i Detit (Himara), Kurveleshi i sipërm dhe i poshtëm dhe gjithë Labëria.

Banorët e gjithë Labërisë ishin dhe janë iliro-kaonë. Autorët antikë, si dhe shqiptarë tregojnë se 12 perënditë e panteonit helen u morën nga pellazgët, pra nga parailirët, emrat e të cilëve shpjegohen sot vetëm me anën e gjuhës shqipe, si më e vjetra në Europë.

Zona e Bregut të Detit me qendër Himarën, Lumi I Vlorës, Mesapliku e Kurveleshi ishin qendra të mëdha rezistente e të gjithë kohërave.

Të gjitha këto fshatra bënin pjesë në Kazanë e Himarës e vareshin nga vilajeti i Janinës. Sundimet e gjata shekullore bën punën e vet, u masakrua popullsia vendase, u zunë rob, u çuan si skllevër në Venedik e Edrene.

Fshatra të tëra u dogjën e shfarosën. Për t’i shpëtuar këtij barbarizmi çnjerëzor një pjesë e madhe e popullsisë emigroi në More, në Itali, Francë, Rumani e vende të tjera. Këtu bëhet fjalë për vitet 1492 e këtej.

Himara me fshatrat e saj dëshmohet se kanë qenë të banuara që në kohën e Paleolitit

(Xll – XXX vjet p.e.s.). Gërmimet arkeologjike në shpellën e Spilesë, që ruan edhe legjendën e Odisesë, nga arkeologu italian Cardini (punimet me gurë, stërrall, kocka etj), tregojnë që kjo trevë ka qenë me të njëjtat kultura të Paleolitit dhe Neolitit.

Himarjotët ndoshta janë raca më e bukur në botë, shprehet ai. Me shumë interes janë studimet shkencore ku dëshmojnë se himarjotët janë pellazge.

Prejardhja e toponimit “Himarë” vjen nga fjala “Kimerët” d.m.th. himarjotë. Kjo krahinë është e përmendur dhe e lëvduar që në kohën e Homerit, shek Vlll, i cili thekson se këtu gjendet popullsia e kimerëve (himarjotëve).

Himara ishte një qytet bregdetar i Kaonisë (kaonët – të pasundueshmit sipas Tuqiditit). Kaonët, fis iliro-epirot që banonin gjatë bregut të Jonit, prej Thyamis (sot Kallëmi, lagje e Dhërmiut), në jug të Maleve të Vetëtimës deri në krahinën e brendshme të luginës së Drinos.

Dëshmohet sipas Tuqiditit, Koinoi (himarjoti) i Kaonisë që në shek lV p.e.s. Në mesjetë, mes 14 fiseve ilire, ajo ishte qendër e rëndësishme administrative me fron princëror. Sipas simpoziumeve shkencore dhe jo politike, takimeve dhe seminarëve lokalë, kombëtarë, të cilët trajtojnë sovranitetin e vendit tonë me argumente vërtetojnë se Himara nuk është krahinë minoritare greke.

Nuk ka asnjë akt ndërkombëtar që të ketë cilësuar Himarën krahinë minoritare greke, siç ka për shembull për Dropullin dhe për Vurgun. Del detyrë emergjente të trajtohen të drejtat kulturore të arvanitasve dhe sidomos të shqiptarëve të Çamërisë e sidomos të njihen ligjërisht trojet e tyre të hershme.

Himara shumë mirë e di,

se kë ka për kombësi,

nga i rrjedh gjaku në gji.

Jemi gjak i Kaonisë,

stërnipër të Pellazgjisë,

bij të denjë të Shqipërisë.

Shqiptarët hynë në Mesjetë me qytetërim të tyre, i cili nuk ishte as helen, as latin e as sllav.

Qytetërimi shqiptar kishte përmasa numerike aq të mëdha, sa e mbushi territorin grek me popullatë arvanite. Këtë e dëshmon me dokumente të shumta historiani grek i shek XlX, Kostandin Sathos, i cili vë në dukje kontributin e madh të arvanitasve në formimin e Greqisë moderne.

Mjafton të themi se heronjtë e revolucionit grek si Karaskaqi, Kryeziu, Boçari, Miauli, Kondurioti, Xhavellat etj., që ata i paraqesin si heronj grekë, janë shqiptarë arvanitas.

Nuk e fsheh dot atë që ndiej: jam patriote e madhe, me shkrime modeste mundohem të mbroj tërësinë territoriale të vendit tim, lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e kombit shqiptar. Në të gjitha trevat shqiptare, atje ku flitet shqip po edhe greqisht, si për shembull në Himarë, e ndjejnë se mbartin mbi vete krenarinë e fortë dardane, doriane, kaone, thesprote, ilire dhe pellazge.

Këto janë fise të popullit pellazg, janë punëtorë të mirë dhe patriotë. Janë shembull i madh në mbajtjen e moralit e të meritave të trashëguara për fisnikërinë dhe për shekuj me rradhë janë kryelartë.

Ata ruajnë me fanatizëm virtytet e lashta e të paçmuara të të parëve të tyre iliro-pellazgë. Ilirët trashëguan prej pellazgëve adhurimet ndaj perëndive pagane politeiste.

Ky adhurim iliro-pellazgjik e arriti kulmin me ngritjen e faltores së famshme të Dodonës në Thesprotinë ilire, pra në jug të Çamërisë së sotme. Në këto treva jeton gjaku im, gjaku yt, gjaku juaj, që nuk mund të falet e të tjetërsohet!

Në emrin tim personal, dhe të të gjithë atyre që e quajnë veten atdhetarë, ju bëj thirrje bashkëkrahinasve të mi dhe gjithë bashkëkombasve tanë, të mos abuzojnë me kombësinë e tyre, në mënyrë që të ruajmë integritetin tonë kombëtar duke respektuar përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi si dhe integritetin e brezave që do të vijnë, të cilët nuk do të na falin gabime kaq të rënda.

Jemi krenarë që jemi shqiptarë!

Shpërndaje në rrjete sociale