Mohimi i krimeve

13:29 | 6 Dhjetor 2019 | Arben Idrizi

Një krim, bile edhe një krim unik, mohohet përgjithësisht për dy arsye. E para, qëllimisht, duke e ditur se ka ndodhur. E dyta, që ka të bëjë më shumë me masën, nga injoranca

Mohimi i një krimi na indinjon fare lehtë, na bën të na ziejnë trutë, sa të në kërcejë kapaku i kresë. Është e natyrshme. Është një reagim i momentit. I momentit, që mund të mos marrë fund për kohë të pafundme. Ndoshta më tepër ngase viktima është i afërmi ynë, i grupit tonë, i komunitetit tonë, do të thotë është ne, jemi vetë ne. Ndoshta, më tej, ngase (krimi i ndodhur) është e vërteta jonë. Në përgjithësi, e vërteta jonë është e vërteta e mbrame dhe nuk duam të ketë as dyshime për këtë, e lëre më mohime. Në fund fare, krimi është krim dhe parimisht (duhet të) jemi kundër.

Ka të paktën dy motive parësore pse dikush mohon një krim.

I pari, se duke e mohuar, e lartëson. Mohuesi – në përgjithësi autoritete të ndryshme zyrtare, politike, intelektuale – e di pothuajse më mirë se viktima se si ka ndodhur, prandaj e mohon për ta ribërë. Duke ia hequr viktimës të drejtën e të vërtetës, dhe e të vërtetës së saj, e risjell në skenën e krimit, që ta ripërjetojë vdekjen e saj të tmerrshme. Është një lëvizje tepër djallëzore. E llogaritur mirë, me gjakftohtësi kriminale. E përgatitur me durim perfid, qullur në ngërdheshje psikopatike.

I dyti, nga injoranca. Duket një tkurrje, thjeshtëzim, por mendoj të jetë një përkufizim i qëndrueshëm. Dhjetëra, qindra e mijëra persona, të themi tru shpëlarë, nga ndonjë ideologji, a shtysë tjetër, si urrejtja, mosdurimi, besojnë përnjëmend se krimet për të cilat akuzohen ata si pjesëtar të një shoqërie, komuniteti, ose paraardhësit e tyre, nuk kanë ndodhur kurrë, por armiqtë e tyre po ua veshin që t’i dëmtojnë.

Sa i përket Masakrës së Reçakut – që për ne shkruhet me shkronjë të madhe, dhe kështu duhet të jetë për të gjithë, për ta konfirmuar/pranuar vërtetësinë e saj – ajo pra mohohet nga krerët e shtetit serb jo nga injoranca, por përkundrazi, qëllimisht. Kjo s’do mend. Ata e dinë se me këtë gjest e nxisin vuajtjen, por, në të njëjtën kohë, më shumë se vuajtjen e nxisin modurimin, humbjen e nervave. Lëvizje djallëzore. Shtyrje e viktimës në pozicionin që ta humbë toruan dhe të mos i kontrollojë më veprimet dhe deklarimet e veta.

Kjo do të thotë se në njëfarë mënyre nuk mjafton ta dimë ne dhe vetëm ne se krimi ka ndodhur. E vërteta jonë, fatkeqësisht, nuk është automatikisht e vërteta e pamohueshme, e të gjithëve. Edhe pse kjo masakër ka qenë tmerri i botës dhe shkaku i vërtetë i intervenimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Ne na mbetet, urgjentisht, të bëjmë çmos, meqë nuk e kemi bërë deri më tash, ta dëshmojmë se me urdhër të kujt dhe nga kush saktësisht është kryer krimi.

Është masakra më e tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë. Është e pafalshme për vetë ne të mjaftohemi me të vërtetën tonë. Dhe e vërteta jonë nuk mund të dalë përtej nesh pa zbardhjen e plotë të rastit.

Dënimi me burgim i një mohuesi të krimit mund të jetë i drejtë, por po aq mund të jetë i diskutueshëm. Duhet të ketë po ashtu një vendim gjykate që e vërteton krimin. Duhet të ketë përgjegjës të dënuar për krimin. Dhe, për më tepër, ose në mungesë të asaj, duhet të ketë dëshmi të ndryshme për krimin, të ruajtura për kujtesën e brezave të ardhshëm. Ndër të tjera: muze, filma, letërsi, dokumentarë. Edhe e gjithë kjo, në fund, nuk do të ishte garanci e mbrame se dikush një ditë nuk do të dilte ta mohonte. Por, të paktën, do të dihej sa mund të kushtojë mohimi. Atëherë gjërat do të ishin bukur më të qarta. Nga ana tjetër, ne kemi po ashtu përgjegjësi t’i pranojmë edhe krimet tona. Ta njohim edhe të vërtetën e palës tjetër. Masakra e Reçakut është një krim që nuk duam të mohohet. Po aq duhet të duam të mos mohohet Masakra e Grackës së Lipjanit. Sepse, në fund, nuk mjafton të presidenti Thaçi të shkojë te monumenti i ngritur për të vendosur kurora me lule (por, është një veprim i jashtëzakonshëm, për rrethanat tona), nevojitet gjithsesi të gjenden kryesit e këtij krimi makabër, të kryer nga dikush në mesin tonë, në emrin tonë, me pëlqimin e heshtur a të zëshëm tonin. Ne tashmë ndoshta nuk e mohojmë se e kemi kryer, por jemi të kënaqur që është kryer dhe nuk lëvizim as gishtin e vogël ta zbardhim krimin. Nuk është pastaj se edhe ka ndonjë dallim të madh mes mohimit dhe heshtjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara