LDK e di rolin e vet

16:35 | 18 Janar 2019

Pesha e rolit të iniciuesit dhe formësuesit të qëndrimit të përbashkët, si dhe barra e krijimit të unitetit të spektrit politik e institucional, u takon partive të koalicionit qeverisës, jo LDK-së!

Shkruan: Bajram Gecaj

Shikuar në tërë periudhën e pasluftës, sikur fitohet përshtypja se skena politike kosovare nuk ka qenë asnjëherë më e rënduar dhe më kaotike se që është tani. Me largimin e ngadalshëm të metodave të mëhershme të intervenimeve pozitive për gjetjen e zgjidhjeve dhe marrjen e vendimeve të mëdha nga ana e miqve të dëshmuar ndërkombëtarë, duket se politikanët kosovarë përfundimisht po mbështeten për muri, në fundin e një labirinti politik, dhe nuk po gjejnë mënyra e metoda si të tejkalojnë këtë situatë të nderë, e të lirohen përfundimisht nga ky vorbull krejtësisht i pakrye. Megjithatë, kjo situatë do të mund të prodhojë pasoja të pariparueshme për të ardhmen e vendit tonë.

Dialogu Kosovë-Serbi do të duhej të ishte një angazhim në dhe për të cilin mos të kishte dallime të mëdha në mes subjekteve të ndryshme politike, pasi që përfaqëson interes madhor kombëtar me rendësi jetike për popullin dhe shtetin e Kosovës, dhe i cili do të duhej vështruar krejtësisht ndaras nga gara e brendshme politike. Në të kaluarën, ky unitet ishte iniciuar dhe formësuar nga LDK-ja, parti institucionaliste e shtetformuese, rreth së cilës me kohë ishte mbledhur jo vetëm yndyra e inteligjencës sonë, por edhe pjesa më kritike e aktivistëve dhe patriotëve kosovarë. Kjo ishte po ashtu parti e udhëhequr nga intelektuali, patrioti dhe vizionari i pashembullt, Dr. Ibrahim Rugova, që në veten e tij posedonte të gjitha elementet e nevojshme dhe të domosdoshme për personifikimin e individit unifikues, i cili do të mund të përçonte vetëm unitet, tolerancë e harmoni. Ishin këto karakteristika që kishin mundësuar që në të gjitha fazat e negociatave të deritashme me Serbinë, Kosova padiskutueshëm të ngadhënjejë dhe çdoherë të dali fitimtare, unike dhe më e avancuar.

Atëherë, pra, ishte Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK në kulmin e proceseve dhe në timonin e krijimit të harmonisë e të unitetit në mes të forcave të atëhershme relevante politike. Ndërsa sot, fatkeqësisht, institucionet kosovare udhëhiqen nga individë të cilët jo vetëm që nuk posedojnë elemente që personifikojnë unitet, por në vazhdimësi e bëjnë të kundërtën, duke përçuar mesazhe e ndjenja të ndarjes, konfliktit, dinakërisë, konspiracionit, si dhe të përçarjes deri në kufijtë e armiqësisë. Në veçanti këtu do veçohen tri figurat kyçe të cilat kanë marrë përgjegjësinë e udhëheqjes me institucionet më relevante të vendit – Kuvendin, Kryeministrinë dhe Presidencën. Asnjëri nga ta nuk e ka kapacitetin e përçimit të ndjenjës dhe imazhit të unifikuesit të kosovarëve; ata angazhohen në mënyrë konsistente për të kundërtën, duke krijuar një kaos me mesazhet dhe me mendimin e tyre politik, si dhe aversion e irritim të përgjithshëm të spektrit politik, përfshirë segmente të vetë forcave politike të koalicionit qeverisës.

Presidenti Thaçi na flet tani e mbi një vit mbi domosdoshmërinë e “korrigjimit të kufijve”, duke u angazhuar fuqishëm për këtë opsion si të vetmin dhe pa alternativë, largë syve të popullit, strukturave politike dhe larg vetë anëtarëve të të ashtuquajturit ekip negociator. Në anën tjetër, me një gjuhë që më së paku i shkon për shtati funksionit që mban, kryeministri Haradinaj kërcënon: “Le t’ia jep dikush një copë tokë Serbisë nëse guxon dhe do ta shohim se si do të dalë”. Shpend Ahmeti, që nuk është “as mish e as peshk”, mban qëndrim se “pa u qartësua roli i Kuvendit në këtë temë, nuk mund të udhëheq Thaçi këtë proces,” edhe pse Brukseli ua bëri krejtësisht të qartë se kush “kollitet” në procesin e dialogut. Një kaos i pashpresë, ku Presidenti shtynë platformën e tij të “korrigjimit të kufijve”, Kryeministri dhe Qeveria aprovojnë një draft të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, Kuvendi miraton një rezolutën të iniciuar nga PSD-ja, ndërsa ministri i Jashtëm e pranon publikisht se e ka të vështirë të “notojë” nëpër këto tri opsione!

Frika nga Gjykata Speciale duket ta ketë përkeqësuar edhe më tej këtë disharmoni politike në të cilin bartësit e institucioneve po na fusin çdo ditë thellë e më thellë. Për shembull, një vendim krejtësisht i drejt i LDK-së, i kohës së luftës, për mbledhje e informatave të krimeve të kryera nga makineria vrastare serbe, u keqpërdor në mënyrën më të paskrupullt dhe më të pamoralshme të mundur: u tha se “Gjykata Speciale po shërbehet me dosjet e përpiluara nga LDK-ja”, madje edhe duke porositur, përmes gojës së titullarit të organit që përfaqëson tempullin e demokracisë kosovare, se në LDK “mos t’i fërkojnë duart” sepse titullarin në fjalë dhe partinë e tij nuk t’i gjejë asgjë nga Gjykata Speciale. Si ka mundësi që ky njeri pastaj të ketë fytyrë dhe besueshmëri për të ftuar partitë politike në takime me qëllim të krijimi të unitetit dhe qëndrimeve të përbashkëta. Derisa këta njerëz pa pikë turpi akuzojnë LDK-në për krijim dosjesh dhe për “fërkim duarsh”, në anën tjetër, një ushtri aktivistësh si dhe familjarët e atyre që pësuan si rezultat i dhunës dhe vrasjeve politike, e thonë në mënyrë akuzuese krejt të kundërtën, përkatësisht se LDK nuk ka bërë mjaft apo fare për ndriçimin e këtyre rasteve.

Politikanët kosovarë, si në periudhën e para, gjatë por edhe atë të pas luftës, vendimet e rëndësisë së madhe i kanë marrë në vazhdimësi në konsultim me miqtë e dëshmuar ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi bërë këtë pasi që liria dhe pavarësia e Kosovës është ndërmarrje jona e përbashkët, dhe i përbashkët do të jetë edhe rrugëtimi ynë drejt integrimeve evro-atlantike. Përkeqësimi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe tani edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet dhe nuk guxon të ndodhë asnjëherë dhe nga askush. Nuk ka individ më të rëndësishëm në vendin tonë se këto marrëdhënie jetike për të djeshmen, sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

LDK ka qëndrime të qarta dhe publike në lidhje me të gjitha çështjet të cilat e rendojnë sot skenën politike kosovare. Nuk guxojmë t’i lejojmë partitë në pushtet të keqpërdorin çështje të rëndësisë nacionale dhe veprime popullsite për zgjatjen e jetës së tyre në pushtet dhe për shtimin e “dhjamit”, siç kam thënë më herët, edhe ashtu tanimë mjaft mirë të formësuar. Përpos këtij kaosi të krijuar, kjo qeveri dhe këto institucione e kanë humbur në tërësi edhe besimin dhe legjitimitetin elektoral, pos tek një grusht i klientelës edhe ashtu të ndërtuar kryesisht me mjete dhe metoda jo të ligjshme. Kjo është arsyeja pse LDK beson se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e planifikuara e të koordinuara, për ri-konfirmimin e besimit në prag të këtyre proceseve mjaft të ndjeshme dhe të ndërlikuara. Megjithatë, marrë parasysh peshën e këtyre proceseve, lideri i LDK-së kishte lënë hapur edhe një shteg shtesë: “Nëse nuk shkohet në zgjedhje duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi i domosdoshëm i cili do të mundësonte ratifikimin e marrëveshjeve”!

Është e qartë, pra, se në gjithë këtë kaos dhe këtë vorbull të pakrye, LDK vazhdon me traditën e saj konstruktive e të përgjegjshme në interes të popullit dhe të vendit. Megjithatë, pesha e rolit të iniciuesit dhe formësuesit të qëndrimit të përbashkët, si dhe barra kryesore e krijimit të unitetit të spektrit politik e institucional, u takon tani partive të koalicionit qeverisës, jo LDK-së. LDK është parti opozitare, kështu që shtyrja para e proceseve të mëdha, ashtu siç edhe kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore, mbetet barrë dhe obligim i partive të koalicionin qeverisës dhe bartësve të institucioneve, ashtu siç kishte bërë LDK kur ishte në ballë të tyre. Jam shumë i sigurt se LDK nuk do të dështojë asnjëherë kur është në pyetje interesi i qytetarëve të Kosovës, ashtu siç nuk lejoi dështimin edhe gjatë këtij mandati të çështjeve të demarkacionit dhe atë të krijimit të ushtrisë. I takon, pra, partive në pushtet dhe bartësve të institucioneve shtetërore të ndërmarrin iniciativa të prekshme, serioze e të sinqerta për të dalë nga kjo krizë institucionale, mjaft e rrezikshme për vendin, sa nuk është bërë tepër vonë. LDK e di rolin e vet!

______________________________________________________________________________________________________________

Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale