Largimi i Ozil nxjerr në pah marrëdhëniet gjermane me komunitetin turk

21:50 | 23 Korrik 2018 | Thomas Escritt, Michelle Martin

Vendimi i futbollistit gjerman Mesut Ozil për të lënë ekipin kombëtar gjerman, për shkak të “racizmit dhe mosrespektimit” ndaj origjinës së tij turke, shkaktoi të hënën një debat publik për marrëdhëniet e vendit me komunitetin më të madh të emigrantëve.

Politikani më i shquar gjerman ,me origjinë turke, tha se do të ishte e vështirë për kreun e Federatës Gjermane të futbollit që të qëndronte në atë pozicion, duke shtuar se largimi i Ozilit do të mirëpritej nga ata që kundërshtonin diversitetin.

Njoftimi i Ozil për rrjetet sociale mbrëmjen e të dielës bëri që mediat të pasqyronin në faqet e tyre të para lajmin për mesfushorin 29-vjeçar, një anëtar kyç i skuadrës gjermane që fitoi Kupën e Botës në 2014-ën dhe gjithashtu i asaj të eliminuar në fazën e grupeve të Rusi 2018.

Lojtari që përfundoi mes një vale kritikash për fotografinë e tij me presidentin autoritar të Turqisë, Tayyip Erdogan në maj, u sulmua në mënyrë të veçantë nga kritikat e kreut të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Reinhard Grindel, i cili tha se “Ozil ishet fajtori kryesor i eliminimit të Gjermanisë”.

Cem Ozdemir, ish-kreu i partisë Greens dhe politikani më i shquar gjerman me prejardhje turke, tha se do të ishte e vështirë për Grindelin të mbante punën e tij në të ardhmen, duke pasur parasysh realitetin e ndryshëm të Gjermanisë dhe ekipit të saj të futbollit.

“Do të jetë shumë e vështirë për Grindelin pas kësaj. Ai nuk pasqyron gjerësinë e futbollit në Gjermani dhe kështu do të jetë e vështirë për turqit gjermanë ose për kroatët gjermanë, të ndiejnë se DFB është e tyre”. tha Ozdemir.

Gokay Sofuoglu, kreu i komunitetit turk në Gjermani, kërkoi që Grindel të japë dorëheqjen duke shtuar: “Shumëllojshmëria në ekipin kombëtar ishte një projekt i madh në shfaqje, që tani është në rrezik të dështimit për shkak të liderëve të paaftë”.

Ish-presidenti i DFB Theo Zwanziger u citua në mediat gjermane të thoshte se DFB nuk kishte bërë mjaftueshëm për të zgjidhur konfliktet që dominonin në skuadër, përpara nisjes së Kupës së Botës.

“Gabimet e komunikimit nënkuptojnë diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë me emigrantët: Ata kurrë nuk duhet të ndihen si gjermanët e klasës së dytë”, tha ai, duke shtuar: “Dorëheqja e Ozilit është një pengesë e madhe për përpjekjet e integrimit përtej futbollit në vendin tonë”.

DFB tha se ndjente keqardhje për largimin e Ozil, por kundërshtoi akuzat e tij për racizëm, duke thënë se për vite me rradhë ka ndihmuar në integrimin e njerëzve me prejardhje nga emigrantët dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Një zëdhënëse e kancelares Angela Merkel tha të hënën se shumica e rreth tre milionë njerëzve me rrënjë turke, që jetojnë në Gjermani, ishin të integruar mirë.

Ajo tha se Gjermania ishte një “vend kozmopolit”, ku njerëzit me prejardhje nga emigrantët ishin të mirëpritur dhe se sporti luajti një rol të madh në integrimin e tyre. Merkel vlerësoi Ozilin si një futbollist “të madh”.

Kriticizmi dhe urrejtja
Kjo situatë përkon me një debat kryesor politik në Gjermani, rreth një fluksi prej 1.6 milionë emigrantësh që kanë ardhur në vend që nga mesi i vitit 2014, dhe që kanë shkaktuar një rritje të së djathtës Alternative për Gjermaninë (AfD) në kurriz të partive tradicionale. Gjithashtu, ai ekspozoi qëndrimet e ndryshme të opinionit mbi komunitetin më të madh në vend, atë turk.

Qindra mijëra turq erdhën në Gjermani në vitet 1960 për të ndihmuar në trajtimin e një mungese të punës si “punëtorë mysafirë”, por u bë pak përpjekje për t’i ndihmuar ata të mësojnë gjermanishten dhe të integrohen.

Një studim i Qendrës të Shkencave Sociale, “WZB Berlinale” në qershor, tregoi se njerëzit me origjinë turke, si dhe grupet e tjera me prejardhje nga emigrantët, diskriminohen kur kërkojnë punë.

Ashtu si në vitin 2014, fitorja e Gjermanisë u festua për shumëllojshmërinë e saj, ashtu edhe ekipi fitues i Kupës Botërore në Rusi 2018, Franca shquhej për pasjen në gjirin e skuadrës lojtarë të mëdhenj me rrënjë etnike afrikane.

Ylli i futbollit gjerman, Jerome Boateng, i lindur në Berlin, me një baba ganez, postoi një fotografi të tij me Ozilin dhe shkroi: “Ishte një kënaqësi Abe”. (“Abe” do të thotë vëlla në turqisht).

Por ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas e ndezi më tej debatin rreth Ozil, i cili luan për klubin anglez Arsenal, duke thënë: “Unë nuk besoj se rasti i një multimilioneri që jeton dhe punon në Angli, mund të tregojë për suksesin apo dështimin e integrimit të emigrantëve në Gjermani”.

Trupa anti-diskriminuese britanike “Kick It Out” tha se “trajtimi racist” që Ozil kishte marrë nga mediat, mbështetësit dhe shoqëria, ishte zhgënjyese, por reflektonte atë fenomen me të cilin ballafaqohet një numër futbollistësh me trashëgimi të përzier në Evropë.

Ozdemir tha se edhe nëse Ozil do të ishte naiv, largimi i tij do të ishte “një lajm i mirë për Erdoganin, për AfD-në dhe të gjithë ata që janë kundër diversitetit”.

Udhëheqësi i AfD, Alice Weidel shkroi se: “Ëndrra e integrimit nuk funksionon edhe me milionerë të futbollit”, duke përshkruar rastin e Ozilit si një “shembull tipik të integrimit të dështuar”.

Në Turqi, megjithatë, politikanët thurën lavde mbi lojtarin dhe sulmuan ata që e kishin keqtrajtuar.

“Ajo çfarë Mesut Ozil kalonte dhe si trajtohej, është e pafalshme. Nuk ka justifikim për racizmin dhe diskriminimin”, tha Gulnur Aybet, një këshilltar i lartë i Erdogan.

Gjithsesi sponsori kryesor i Ozil, gjiganti gjerman Adidas, tha se do të vijonte bashkëpunimin me të.

Marrë nga “reuters.com”
Autorë: Thomas Escritt, Michelle Martin/tch/

Shpërndaje në rrjete sociale