Kushtëzimet me sherr të LDK’së

13:46 | 12 Dhjetor 2019 | Imer Mushkolaj

LDK po i kërkon me ngulm presidentin dhe Ministrinë e Brendshme – jo pa shkak dhe jo pa hile. Një parti që ka qenë thuajse vazhdimisht pjesë e pushtetit dhe ka hise goxha të madhe në kapjen e shtetit, nuk e ka të lehtë të pranojë që zyrtarët e vet mund të jenë subjekt i hetimeve. Nëpërmjet kushtëzimeve LDK po kërkon ta fitojë amnistinë për bëmat në të kaluarën, jo shansin për të ndryshuar të ardhmen

Deklarata e Albin Kurtit se marrëveshja për koalicion me LDK’në do të arrihet 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve po del të jetë deklaratë dëshire e mbështjellë me pak naivitet. Jo pse mund të ketë munguar vullneti nga ana e Vetëvendosjes, por duket të mos jetë llogaritur mirë se me çfarë mund ta kushtëzojë LDK’ja koalicionin. Partia e Isa Mustafës ka përvojë në arritje koalicionesh, kryesisht me PDK’në dhe pazaret për postin e presidentit, si në rastin e Hashim Thaçit, i ka specialitet. Kurti duket të mos i ketë bërë hesapet si duhet për Isa Mustafën, një politikan i rryer që ka ditur të notojë në të gjitha sistemet.

Ndonëse rezervohet në pohime publike, LDK kërkon postin e presidentit dhe të ministrit të Brendshëm. Jo rastësisht dhe jo pa sherr.

Partia e Mustafës ka qenë pjesë e pushtetit thuajse vazhdimisht dhe kryesisht në bashkëqeverisje me PDK’në. Në trashëgiminë politike dhe në qeverisjen e vendit, LDK ka pothuajse përgjegjësi të njëjtë si PDK’ja. Në emër të “çkapjes së shtetit”, LDK vetëm ka kapur pjesën e vet. Si pjesë e marrëveshjeve politike me PDK’në, zyrtarë të lartë të partisë sot janë në krye të institucioneve dhe agjencive që do të duhej të ishin të pavarura.

LDK kurrsesi nuk mundet dhe nuk duhet amnistuar nga bëmat, nga llogaridhënia për gjithë kohën sa ka qenë në pushtet. Edhe për kohën sa e ka udhëhequr Ministrinë e Brendshme, të cilën sërish me ngulm po e kërkon. Por pse LDK po e kërkon pikërisht këtë ministri? Për të punuar shumë? Për të provuar të fsheh diçka? Apo për të bllokuar ndërmarrjen e veprimeve që do të çonin në ndëshkimin edhe të zyrtarëve të saj?

* * *

Sigurisht, po që se do të donte të punonte sa e si duhet në këtë ministri, e ka pasur shansin të tregohet më herët. Për të tjerat mund të spekulohet. Por nëse LDK insiston që t’i marrë edhe postin e presidentit, edhe ministrinë, atëherë kapaciteti për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, nëpërmjet përmirësimeve sistematike, do të ishte jashtëzakonisht i kufizuar dhe ndërmarrja e veprimeve do të bëhej e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Insistimi i LDK’së për këto dy poste ngjall dyshime se, më tepër sesa me një pazar politik, ka të bëjë me përpjekjen për të bllokuar iniciativa. Dhe kjo nuk është e pamundur, kur kihen parasysh kompetencat kushtetuese që i ka posti i presidentit. Dhe ato nuk janë pak.

Ndër tjera, me propozimin e Këshillit Gjyqësor, ai emëron dhe shkarkon kryetarin e Gjykatës Supreme, ai emëron dhe shkarkon gjyqtarët, emëron dhe shkarkon kryeprokurorin e shtetit dhe prokurorët – me propozimin e Këshillit Prokurorial, si dhe emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese – me propozimin e Kuvendit.

Shumë të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit janë edhe kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, bazuar në ligjin përkatës për policinë.

Policia funksionon nën autoritetin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të policisë përfshijnë parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale dhe kryesit e tyre.

Pra, të dy postet janë kyçe në sundimin e ligjit dhe ka mundësi të keqpërdoren varësisht nga vullneti politik i atyre që do t’i udhëheqin.

* * *

Në përpjekje për të arritur marrëveshje, Vetëvendosja deri tash ka lëshuar pe karshi LDK’së si në harmonizimin e programit dhe ndarjen e barabartë të ministrive, ashtu edhe në kërkesën e LDK’së për të zgjedhur e para ministrinë. Natyrisht, ngërçi rreth koalicionit mund të zgjidhet. Dy partitë mund të merren vesh që për presidentin të diskutohet më vonë dhe emri i tij, por edhe emërimet që do t’i bënte kur të zgjedhej, të arriheshin me koncensus dypartiak.

Zvarritja e krijimit të koalicionit nuk po ndodh shkaku i parimeve të LDK’së, por i kushtëzimeve të saj. Qytetarët kanë votuar për përbërjen e re të Kuvendit që do të zgjedh qeverinë, jo për emrin e kujdoqoftë që do të ulet në karrigen e presidentit. Andaj është e papranueshme që gjithçka të bllokohet shkaku i ndonjë emri të përveçëm, siç mund të jetë Isa Mustafa. Është e papranueshme që qytetarët të mbeten peng i akomodimit të një personi, partia e të cilit dhe ai vetë e kanë të vështirë të jenë pjesë e një ndryshimi nga stërkeqja institucionale e shoqërore, për të cilën kanë dhënë kontribut jo të vogël ndër vite.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara