Koment: G7 – lideri i ri i Europës quhet Emmanuel Macron

15:20 | 26 Gusht 2019

Në samitin e G7-s në Biarritz presidenti Emmanuel Macron u tregua mjeshtër i diplomacisë duke e mënjanuar me një manovër të zgjuar presidentin Trump. Me këtë ai merr rolin drejtues në Europë, mendon Barbara Wesel.

Presidenti francez, Emmanuel Macron investoi shumë punë e kapital politik, me qëllim që samiti i G7-s në Biarritz të mos dështonte plotësisht. Ai ftoi politikanë të paplanifikuar dhe vendosi tema të tjera në axhendën e ditës, për të thyer këtë format të skematizuar. Ai vetë sidomos nuk donte të dilte në fund si dështak. E kësaj Macron ia doli.

Lëvizje e zgjuar shahu në politikën e Iranit

Macron ia doli vërtet të nxjerrë jashtë loje, Donald Trump, presidentin kokëfortë dhe gjithmonë kundër në politikën e Iranit. E ky nuk është sukses i vogël, sepse Donald Trump u tregua në Biarritz edhe një herë si mik i keq, që e shihte si shaka të çorientonte mediat dhe vëzhguesit me politikën e tij tregtare. Nga ana tjetër ai ankohej për mediat që raportonin, se ka tensione në samit. Nuk mjaftojnë më fjalë të tjera për manovrat, mungesën e përgjegjësisë e deformimet nga ana e Trump. Ai u soll si gjithmonë.

Presidenti francez ftoi ministrin e Jashtëm iranian, Mohamed Dzhavad Sarif si të ftuar surprizë dhe filloi në kuadër të takimit një iniciativë diplomatike. E ai e bëri këtë nën hundën e Donald Trump, që reagoi me zemërim dhe theksoi, se linja e ashpër e SHBA është strategjita e vetme e duhur. Macron nuk u impresionua shumë nga kjo, dhe u takua personalisht me Sarif për të parë mundësitë diplomatike për zgjidhje të reja.

Shumë shpresa nuk mund të kesh në këtë drejtim, por në një situatë, ku në sfond kërcënon një konflikt ushtarak, çdo impuls për një zgjidhje paqësore është i mirëpritur. Kjo vlen sigurisht edhe për nënshkruesit europianë të marrëveshjes atomike, të cilën presidenti amerikan vitin e kaluar e braktisi.

Për populistët bukë edhe kërbaç

Edhe për djegiet e pyjeve në Amazona, Macron gjeti levën e duhur. Ai e kërcënoi në fillim presidentin brazilian, Jair Bolsonaro me mosratifikimin e marrëveshjes Mercosur (marrëveshja e tregtisë së lirë e BE me vendet amerikanolatine, shën red.), nëse ai nuk do të ndalte zjarrvënien në mushkërinë e gjelbër të planetit. E në samit ai arriti të merrte premtime nga pjesëmarrësit e tjerë, që t’i ofronin Brazilit e vendeve të tjera përreth ndihma konkrete në shuarjen e zjarreve.

Presidenti francez tregoi këtu, se e ka metodën e duhur si duhet vepruar me populistët dhe anti-demokratët. Ai flet me të gjithë, por di të jetë i prerë. Kjo pati efekt tek Bolsonaro, sepse ai ndryshoi qëndrim, e dërgoi ushtrinë më pas për të shuar zjarret. Sigurisht duhet më shumë presion për të arritur që presidenti brazilian të ndjekë një politikë pro-mjedisore.   BE, organizatat ambientaliste e në fund konsumatorët duhet të luajnë rolin e tyre, nëse vjen puna tek një bojkotim i produkteve braziliane.

SHBA nuk ishte e kënaqur, që Emmanuel Macron temën e klimës dhe djegiet në Amazona i vuri në rend të ditës. Diplomatë nga samiti u shprehën, se SHBA ndjehej e mënjanuar. Në një kohë që qeveria në Uashington ka treguar, se vepron pa përgjegjësi në politikën e klimës dhe se gjithmonë duhet të vihet përpara nga vendet e tjera të G7-s.

Lideri i ri i Europës quhet Emmanuel Macron

Presidenti francez tregoi me samitin e G7-s, se e zotëron zanatin politik dhe se do të ngjitet në liderin drejtues të Europës. Shumë iniciativa të rëndësishme, që nga tatimi mbi koncernet digjitale deri tek politika e klimës kanë ardhur nga Parisi. Përkundër kësaj, Gjermania nuk po bën një figurë të mirë. Duket sikur perëndimi politik në Berlin i Angela Merkelit ka paralizuar edhe përvojën dhe vullnetin drejtues të kancelares. Dobësia e saj çon në ndërrimin e shtabit në BE. Që në zgjedhjen e presidentes së Komisionit Europian, Macron vuri dorë. Tani ai po kthehet në liderin e fortë të Europës, por duhet të ketë kujdes të mos marrë shumë flatra e të humbasë lidhjen me realitetin. Megjithatë pas këtij samiti të vështirë G7, mund të kesh ndjesinë, se me Macron je në duar të mira.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara