Isa duhet t’i “përulet” me respekt pendimi dhe kërkojë falje burrnisht Albinit

15:01 | 20 Mars 2020 | Elvinë Sefiu

Menaxhimi i situatës në lidhje me kufizimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë mund të nxjerrë triumfues Albin Kurtin.

Mësimet nga përvojat e vendeve tjera të prekura më herët nga COVID-19 po rezultojnë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, duke bërë që rastet e deritanishme të infektuar janë kryesisht të ardhur nga vende tjera, dhe familjarë të tyre.

Thirrja për izolim, dhe përgjigja qytetare duke e kuptuar drejtë rrezikun e dërgoi në një nivel tjetër qeverisjen e Kurtit, duke e lënë në hije partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, që nuk “diti” të kërkojë në kohë Ministrinë e Shëndetësisë.

“Fati” që ndodhi shkarkimi i një ministri të LDK-së, dhe iu kthyem kësaj partie që, pavarësisht 30 vjet të ekzistimit, asnjëherë nuk arriti të vazhdojë madhështinë politike të liderit historik, Ibrahim Rugova.

Sa komike, aq edhe dëshpëruese është thirrja e liderit të partisë, Isa Mustafa, për kërkim-falje nga ana e Kurtit, duke kthyer “Kanunin”, e duke harruar përgjegjësinë e përbashkët në këtë krizë kur paralajmërimet janë pesimiste sa i përket tejkalimit të shpejtë.

Por, është Mustafa ai që duhet t’i “përulet” me respekt pendimi dhe kërkojë falje burrnisht Albin Kurtit. Në këtë kohë, dhe përherë, interesi publik do të duhej të vendosej para interesave partiake.

Mbetja pa institucione shkaku i shkarkimit të një ministri, duke mbyllur sytë përballë rrezikut që po i kanoset çdo ditë qytetarëve, mund të jetë dëm i pa riparueshëm për të ardhmen.

Sikur që ishin të zëshëm dhe të pranishëm përfaqësuesit ndërkombëtarë për qeverisjen kundër krimit të organizuar e korrupsionit, duhet të ndërhyjnë edhe tani kur as për 100 ditë nuk mund të vlerësohen angazhimet dhe përballimi i sfidave nga ana e këtij pushteti.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info, për rreth dhjetë vjet ka punuar në medie si gazetare dhe redaktore)

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara