Ikja për të gjetur shpresë

12:57 | 30 Maj 2019 | Nazim RASHIDI

Si të ikë një i ri e të mbajë kokën prapa në vendlindje? E ku më të ketë dëshirë të kthehet? Nuk dua të përhap zhgënjim, por të përballemi me realitetin. Dhe ai është, se njerëz të pazot, pa dije, me dije të dyshimta, janë duke vrarë çdo shpresë për përparim. Kjo është shkatërruese, më shkatërruese se çdo gjë tjetër që është në memorien tonë kolektive e që e kemi parë gjatë jetëve tona. Sepse këtë tmerr ia bëjmë vetes, dhe jemi të hutuar. Se nuk bëhet fjalë për konflikt ku përballë ke armik, tashmë të keqen ta sjell vetja

Mëngjesi sot më kapi me emocione të forta. Disa miq të mi virtual kishin përhapur një video nga një prej programeve më të shikuara televizive, America’s Got Talent. Një nga ato shoë-ët e talenteve, që janë kudo. Në fakt ky program shpesh nxjerr arritje të mrekullueshme të njeriut, në shumë fusha, por kësaj here vërtet ishte diçka tejet e veçantë. Video e përhapur, që për disa orë kishte pasur miliona shikues, e deri sa ju ta lexoni këtë, me siguri do shifrat do rriten me miliona të tjera, kishte të bënte me një djalë, Kodi Lee, i cili është 22 vjeç, por i verbër dhe autik. Të folurën e ka të vështirë dhe në video shoqërohet nga e ëma. Kodi mezi i përgjigjet jurisë së programit. Nëna e tij shpjegon botën e këtij djali të mbyllur nga autizmi, por edhe nga shikimi. Por, me mijëra drita shkëlqyen dhe miliona zemra i rrëmbeu 22-vjeçari kur filloi t’i bjerë pianos dhe kur këndoi.

Moment fantastik. Ashtu siç e do televizioni dhe ashtu siç do audienca. Sigurisht në gjithë këtë moment aq emocional që prek direkt miliona njerëz, ka edhe regji, ka edhe anticipim, ka edhe ngritje dhe shpërthim emocinal që është i parapërgatitur, por në të gjitha variantet, në qendër ishte talenti i pa parë i një autiku që është dhe i verbër dhe që është aq i mbyllur në botën e vet e që duke kënduar arrin t’u flasë miliona njerëzve. Sigurisht që nuk kisha ndër mend të shkruaj për këtë djalë, por përtej talentit dhe shoë-ut të programit, emocioni që mbërtheu të gjithë është shpresa. Shpresa për një jetë dinjitoze pavarësisht rrethanave për Kodi Lee, për familjen e tij.

Dhe ky moment më bëri të mendoj. A po na ikën dhe ne shpresa se gjërat mund të ndryshojnë për mirë? Gjatë fundjavës së kaluar isha në Strugë. Në lokalet pranë Drinit kishte plot turistë, disa prej tyre ishin nga Shkupi. Kamarieri i shërbente në shqip, sepse nuk fliste maqedonisht e turistët ia kthenin në maqedonisht dhe me ndonjë fjalë shqip, për të bërë gjeste kortezie. Nuk kishte tension ndëretnik në këtë situatë, nuk ishte se palët nuk e pranonin këtë komunikim madje as komente habie siç ndodh rëndom sepse njerëzit si dinë gjuhët e njëri-tjetrit. Gjithçka rridhte natyrshëm, turistët në qefin e kafesë së tyre e kamerieri në vrapin e punës së tij.

Por turistët nuk dinin në gjë. Kamarieri ishte nga Shqipëria dhe ishte normale që mos dijë maqedonisht. Në shumë lokale tashmë në Strugë kamarierët janë nga Shqipëria, sepse shumë të rinj s’janë më në qytet. Por pse? Sërish e gjitha lidhet me shpresën. Të rinjtë nga Struga, por dhe të tjerët, këta që punonin si kamarierë, por dhe të tjerët, mbase do gjenin një punë për të mbijetuar. Mbase do arrinin të punonin një punë në administratë ku do shkonin e nuk do shkonin në punë e do e merrnin një rrogë.

Në fakt edhe ata djem e vajza nga Shqipëria, qytetet e fshatrat për rreth kufirit, vijnë për shpresë. Shpresë se në një vend tjetër do gjejnë pak më shumë mirëqënie dhe mundësi. Të gjithë ku do ku ikin i lidh pikërisht kjo shpresa për tu bërë më mirë, për përparim. Elemente që nuk i jep dot kjo shoqëri e jona ende. Një pjesë e kamerierëve të Strugës, mbase asnjëherë nuk do kishin nevojë të ikin sa për një rrogë e një jetë modeste. Por, ikja e tyre ka të bëjë me mungesën e shpresës dhe mungesën e ndjesisë se mund të shkohet përpara mbi baza aftësie e drejtësie. Të gjithë ne e dimë se cilat janë rrëfimet e tyre kur kthehen për vizita. Që ia kanë arritur të kenë sukses, vetë, pa ndihmë, pa hatër, pa njohje, pa miq, pa ndërhyrje, pa parti. Kjo është arsyeja e ikjes. Jo thjesht veç mbijetesa e varfëria. Por, këto ikje janë më të tmerrshmet sepse asnjëherë se kanë sensin e kthimit, siç e kishin brezat e mëparshëm që ikën, por koka ju mbeti prapa në atdhe. Të cilët sollën e sjellin me vete gjithë mundin e fituar jashtë duke bërë dallimin për të gjithë.

Brezi që ik sot i përket një kohe që është rritur me një mirëqenie minimale, e kërkesat e këtij brezi janë të tjera, të bazuara në ndjesinë e rritjes e zhvillimit siç ndodh në vendet ku ata duan të ikin. Mirëqenie bazike këta të rinj edhe mund të kenë, por jo edhe ndjesinë e suksesit, se këtu mund tia arrish. Dhe me të drejtë, sepse ndjesia konstante është se këtu suksesi, mirëqenia, arritja, por edhe shpresa kalon nëpërmjet partisë.

Po partia çfarë zgjedh? Jo më larg se dje, një zyrtar i huaj, që ndihmon Maqedoninë e Veriut rreth krijimit të një atmosfere pozitive në prag të vendimeve nga BE për një datë për nisjen e bisedimeve për fazën e fundit të anëtarësimit, nuk kishte mundur të gjejë asnjë funksionar shqiptar, për ta çuar jashtë shtetit për të bërë lobim. Zyrtari i huaj kishte thënë, se përveç disa emrave evident, nuk kishte as një burrë ose grua, që di gjuhë të huaja, që njeh BE-në, që njeh proceset, që ka elokuencë, që di të artikulojë, që di të kominikojë e që di të ndikojë me fjalorin, me shprehjen,e dijen për të bindur zyrtarët e lartë evropian se Maqedonia e Veriut është gati për në BE.

Mu dhimbs vetja e krejt shoqëria kur dëgjoja këto konstatime. Por, këto janë realiteti ama. Njerëz partiak, që s’dinë asgjë, janë kudo. Nga shkollat e deri në ministri. E ku të lindë shpresa këtu? Si të ikë një i ri e të mbajë kokën prapa në vendlindje? E ku më të ketë dëshirë të kthehet? Nuk dua të përhap zhgënjim, por të përballemi me realitetin. Dhe ai është, se njerëz të pazot, pa dije, me dije të dyshimta, janë duke vrarë çdo shpresë për përparim. Kjo është shkatërruese, më shkatërruese se çdo gjë tjetër që është në memorien tonë kolektive e që e kemi parë gjatë jetëve tona. Sepse këtë tmerr ia bëjmë vetes, dhe jemi të hutuar. Se nuk bëhet fjalë për konflikt ku përballë ke armik, tashmë të keqen ta sjell vetja.

Suksesi, arritja është ajo ndjesi e përmbushjes që të gjithë e kërkojnë e që të bën të ndihesh i plotësuar. Kështu ndodh edhe me këto programet televizive, që u japin shans të paparë individëve. Disa prej tyre me të drejtë marrin shtysën e suksesit dhe vëmendjes, madje japin dhe shpresë, bëhen model për të tjerët. Përpjekja nuk duhet të ndalojë. Megjithatë, jeta nuk është shoë. Sukses brenda natës nuk do kenë mijëra njerëzit që u gëzuan për Kodi Lee. Ata do vazhdojnë kërkimin e suksesit të tyre. Të gëzuar për një djalë specifik me talente të jashtëzakonshme, por suksesi i një njeriu nuk zgjidh problemet e shoqërisë. Dhe talente të jashtëzakonshme s’kanë të gjithë.

Prandaj këtu ka rëndësi politika, zyrtarët, vizioni i tyre, shteti. Shpresa dhe gëzimi, arritja dhe përmbushja duhet të jenë pjesë e normalitetit, sigurisht me doza sipas specifikave të secilit, por ndjesia se mund t’ia arrish duhet të jetë konstante. Ndjesia se mund të ndjekësh dhe arrish lumturinë duhet të jetë motori i jetëve tona. Këtë ta jep dot vetëm shteti. E në shtet ka ardhur koha që partitë të zgjedhin të zotët. Në të kundërt në fund edhe vetë partiakët do ikin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara