Gjilani si rrotë rezervë

23:18 | 6 Nëntor 2019 | Durim Kadriu

Që nga paslufta Gjilani është lënë pas dore jashtëzakonisht shumë. Nga një qytet industrial me  fabrika gjigande që punësonin mijëra punëtorë, u kthye në një qytet të varfër e të qitur posht . Është më i varfëri prej 7 qyteteve të mëdha të Kosovës ( përjashto Mitrovicën për shkaqet të cilat i dimë). Besoj se kjo ndodhi qëllimisht pasiqë rajonet e tjera të Kosovës nxorën partitë e tyre politike, ndërsa Gjilani nxori vetëm vota po për këto parti. Ne, Gjilani nxorëm edhe ndonjë ministër të dobët apo edhe disa deputet që kurrë nuk u dëgjuan të flasin as të bëjnë ndonjë gjë për Gjilanin, sikurse të mos ishin fare prej nesh. Pra, Gjilani u trajtua vetëm si hambar votash e asgjë më shumë. Këtë trajtim të padrejtë që I bëhet Gjilanit nga dikush i “Drenicës”, “Dukagjinit” apo “LLapit” që vetëm merr vota prej nesh dhe nuk bënë asgjë për ne, mundohem t’a kuptoj deri diku, por ama kur po kështu Gjilani trajtohet edhe nga politikanët gjilanas, kjo më të vërtetë nuk kapërdihet dot.

Si shembull do ta merrja kryetarin e Gjilanit z. Haziri, i cili prej se është bërë kryetar i Gjilanit (për herë të tretë, dhe tani është në mandatin e katërt), është dërrmuar rrugës Gjilan- Prishtinë. Seç përzinë andej kah Prishtina një Zot e di. Por, e di që në punët e qytetit tonë nuk po ia thotë edhe aq. As kah Prishtina, deri më tani nuk po duket se po i shkojnë punët mirë.

z.Kryetar, pa të keq, përse nuk shkoni krejt në Prishitnë dhe, kushedi, ndoshta edhe mund të bëheni kryetar i Prishtinës. Kur Ismet Beqiri është bërë, çka keni ju që s’bëheni. Nuk kam asgjë kundër ambicieve tuaja për t’u bërë kryetar I LDK-së, kryeministër apo president, por të lutem mos ma trajto Gjilanin si “ rrotë rezervë”. Mos u bëjë kryetar I Gjilanit vetëm sa për t’i forcuar pozitat tuaja në Prishtinë, se ne qyteti po pësojmë. Edhe andej edhe këndej nuk mundesh. Trupi në Gjilan e koka në Prishtinë, nuk shkojnë, pos në qofshi Ali Pasha II. Por, nuk jeni. A e keni pa si është bërë Gjilani? Si mos më keq. Me gjithë atë pluhur torturues që vjen si pasojë e punimeve nëpër rrugë që zgjasin nga dy vjet, si pasojë e mungesës eklatante të gjelbërimit, si dhe si pasojë e mungesës së transportit urban.

Nuk është mirë për as qytetin, as për ju dhe as për ambiciet tuaja të mëdha që ta “lëshoni pa duar” siç e keni lëshuar deri tani. Ngase ndokush mund t’ju pyes: “a krejt punët e Gjilanit i keni qitë n’dyzen dhe t’ka mbetë tash Kosovën me drejtu?”; apo:” nëse po mendon me drejtu Kosovën qysh e ke drejtu Gjilanin, atëherë medet për Kosovën”.  Për çka mendoni se do të mbaheni mend? Si kryetar komune i sukseshëm sikur Refki Suma e Shpend Ahmeti ( në mandatin e parë)? Kam frikë se jo. Kam frikë se më shumë do të mbaheni mend si kryetari i Gjilanit që shumicën e energjisë e shpenzoi duke u marrë me “allashvereshet” e Prishtinës.

Besoj se nuk keni ndërmend të kandidoni edhe për mandatin e pestë për kryetar komune.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara