Edhe një “vdekje e dyshimtë” që kaloi në heshtje, Vjollca nuk duhet të mbetet e vetme

14:15 | 5 Maj 2020 | Elvinë Sefiu

Në heshtje dhe pa asnjë reagim nga krerët e shtetit. E vetmuar në momentin e gjetjes, dhe e humbur në “ankthin” e më shumë se një muaji u pa bashkëshortja Vjollca Osmani.

Pas më shumë se një muaji të kërkimit të Besnik Osmanit nga Presheva, Njësiti i Kërkim Shpëtimit malor i Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e gjeti të vdekur në një zonë malore.

“Vdekja e dyshimtë”, e cilësuar kështu nga Prokuroria Themelore në Gjilan, përkatësisht  Departamenti për Krime të Rënda, nuk duhet të kalojë në heshtje dhe autoritetet duhet të “luftojnë” deri në zbardhjen e rastit.

Vjollca nuk duhet të mbetet e vetme, ashtu siç u pa një ditë më parë. Edhe një përkrahje sado solide çfarëdo qoftë, do të ja lehtësonte dhimbjen.

Besnik Osmani i lindur më 12.05.1978 në Preshevë me vendbanim në Prishtinë, që nga 24 marsi rezultonte i zhdukur.

Meqë dorëheqjet nuk parashihen si akt moral në qeverinë edhe ashtu në largim të Albin Kurtit, të paktën duhej të kishte reagime e zotime se do të angazhohen në zbardhjen e rastit.

Kontakti i fundit i Besnik Osmanit ishte pika kufitare në Muçibabë, Kosovë-Serbi, rreth orës 17:00.

Për kërkimin e tij ishin angazhuar 96 zyrtarë policorë të njësive të ndryshme policore, përfshirë Njësinë K9 (njësia me qen), në zonën e fshatit Muçibabë, në një teren malor dhe mjaftë të vështirë për kërkim.

Pas obduksionit që do t’i bëhet të mërkurën mund të dihet se çfarë e qoi drejtë vdekjes Osmanin në afërsi të lumit Llapushnicë, në mes të fshatrave Llofcë dhe Burincë, në Komunën e Gjilanit.

Një mobilizim i tillë i kërkimit duhet të pasojë me një hetim po aq serioz nga institucionet e drejtësisë.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info dhe për më shumë se dhjetë vjet ka punuar në medie si gazetare dhe redaktore)

FOTO| Trupi i pajetë i gjetur pranë lumit Llapushnicë është i Besnik Osmanit

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara