Duhet konkretësi në bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë

17:54 | 23 Mars 2015

Nga Behgjet Pacolli

Sot në Tiranë do të mblidhen dy qeveritë, gjegjësisht ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, në vijim të mbledhjes së parë, asaj të Prizrenit. Sipas mediave, do të firmosen 8 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Unë dua t’i shpreh dhe një herë vlerësimet më të larta Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili fuqishëm nisi nga jetësimi i një projekti, i një doktrine kombëtare, duke e përfshirë në fillim në programin e partisë së vet, duke e shpallur në Parlamentin e Kosovës, në vizitën e tij në 2013-n, dhe duke vijuar më pas me takime apo aktivitete të ndryshme. Pa angazhimin e Shqipërisë në nivel kaq të lartë, kjo ide do të ishte ende në formën e projekteve të bukura që formulohen në takime prestigjioze akademike, apo biznesore, por vetëm kaq.

Si njëlloj pionieri i kësaj iniciative të bërë publike institucionalisht në daljen time në Parlamentin e Shqipërisë si President në mars të vitit 2011, por edhe më parë në kapacitete të tjera, së bashku me rilindësin modern Arbën Xhaferi, kam disa argumente për të shpallur në lidhje me këtë mbledhje. Detyrimi im bëhet dhe më i fortë nëse mbahet parasysh se prej vitit 2013, ne, një grup politikanësh, akademikësh, ndërmarrësish nga gjithë hapësira shqiptare, kemi themeluar Lëvizjen për Unionin Ekonomik Shqiptar, qëllimi i të cilit është pikërisht institucionalizimi i një hapësire ekonomike të përbashkët me synim “Zhvillimin harmonik, kompatibël dhe të qëndrueshëm ekonomik në të gjitha fushat, prej bujqësisë, energjetikës, industrisë, teknologjisë, si dhe ai i vlerave arsimore dhe kulturore në Ballkanin Perëndimor, specifikisht ku ka shqiptarë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi dhe Lugina e Preshevës)”. Siç e kam thënë shpesh, megjithëse njeri i botës, megjithëse i lidhur fuqimisht me vendlindjen time, megjithëse ndërmarrës global që ende punon në 4 kontinente, në sisteme ekonomike me mbi 30 monedha të ndryshme, unë besoj në ardhmërinë e një projekti tonë kombëtar të mirëqenies sonë të përbashkët. Si ndërmarrës global unë jam në dijeni, njoh shumë projekte globale që prekin Kosovën, Shqipërinë, hapësirën tonë kombëtare, dhe për të cilat ne si shtete duhet të jemi gati, duhet të kemi përgjigjet tona më të mira.

Argumentet e mia në dobi të kësaj mbledhjeje do të përmblidheshin mbi dy koncepte. Së pari koncepti i institucionalizimit dhe së dyti koncepti i konkretësisë.

Institucionalizimi është fjala kyçe e bashkëpunimit ndërshqiptar. Është e vërtetë se mbledhja e përbashkët e dy qeverive mbi baza periodike po shndërrohet në institucion me takimin e dytë, por kjo mbledhje do të duhet të ishte ombrella e disa institucioneve të tjera që do duhej të funksiononin gjatë gjithë vitit në fusha të ndryshme, apo në degë të tjera të pushtetit si Parlamenti etj. Kush ka droje se kjo do të krijonte frikërat e Shqipërisë së madhe, do t’i përkujtoja dy momente që kanë qenë konstante në gjithë qëndrimet e mia në lidhje me këtë çështje, që nga shfaqja e parë publike në Parlamentin e Shqipërisë. Ka modele për t’u ndjekur pa shpikur kurrgjë: nëse doni, është modeli i Bashkimit Europian. Modeli franko-gjerman brenda këtij Bashkimi. Nëse duket më i madh se ç’duhet për përmasat tona të vogla kombëtare, atëherë për analogji zgjidhni modelin nordik, i cili funksionon prej kohësh dhe për më shumë midis popujve që kanë të përbashkët traditën, afërsinë gjeografike, por jo si ne që kemi të përbashkët esencën kombëtare, gjuhën, kulturën etj.

Ajo çka po them shkurt dhe qartë, është: zgjidhni një model dhe jetësojeni. Mbledhja e qeverive vitin tjetër do duhej të ishte vetëm kurora e takimeve, e punës së këtyre institucioneve, të krijuara brenda modelit midis parlamenteve, bizneseve, kulturës, institucioneve të drejtësisë etj. Aty do të bëhej bilanci dhe do të miratoheshin vendimet e mëdha ekzekutive.

 

Së dyti, konkretësia. Në mbledhjen e parë ne firmosëm disa marrëveshje që kanë marrë rrugën e konkretizimit, siç ishte ajo e hapësirës energjetike të përbashkët, por na duhet hapësirë e përbashkët për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, për kompanitë celulare, për kulturën, për ligjin etj. Pra, ka shumë e shumë punë përpara nesh. Shoqatat tona të biznesit kanë adresuar, me gjithë vërejtjet për mjetin e zgjedhur për adresim,  një konferencë shtypi-16 propozime për këtë mbledhje të Tiranës. Unë, nga sa jam njohur me axhendën e kësaj mbledhjeje nga mediat, druaj se ajo do të shqyrtojë këto 16 propozime, pasi do të ketë më shumë karakter ceremonial. E di që midis ministrave homologë është diskutuar për projekte bashkëpunimi gjatë vitit, me gjithë pauzën tonë kosovare të krijimit të qeverisë së re, por në dy orë apo sa është vënë në dispozicion për takimin e dy qeverive, nuk mund të shqyrtohen këto 16 propozime.

Dikush do të thotë se qeveritë, dikasteret e ndryshme kanë stafe, kanë drejtori të ndryshme. A besohet vërtet se specialistët e ministrive përkatëse do të merren me angazhime të reja shtesë në kuadër të një programi të bashkëpunimit kombëtar? Vërtet duhet të shpresojmë se burokracitë tona do të gjejnë kohë për të ofruar zgjidhje për  problemet kryesore të zhvillimit tonë kombëtar, për korridoret rrugore, për harmonizimin e legjislacionit, për sa e sa probleme të tjera? Unë dyshoj.

Si zgjidhet problemi? Së pari nëpërmjet institucioneve ad hoc që duhen krijuar. Së dyti, nëpërmjet bashkëpunimit me një softuer kombëtar, një Institut të mendimit ekonomik kombëtar, i cili do të fokusohet pikërisht në identifikimin e problemeve dhe zgjidhjet e tyre ligjore, ekonomike etj. Në këtë Institut do duhet të përfshihet mendimi më i mirë kombëtar, brenda dhe jashtë vendeve tona, madje duke shfrytëzuar më së shumti diasporën tonë, profesorët tanë të universiteteve më të mira botërore, ndërmarrësit me renome etj. etj.

Për ta mbyllur, unë besoj në ardhmërinë tonë të përbashkët, përndryshe nuk do të angazhohesha në të. Si kemi potencuar dhe më parë, Zoti i ka bekuar shqiptarët ndërsa i ka dhënë ujin, pasuritë minerare, pozitën gjeografike. Këto pasuri ishin të copëtuara politikisht dhe territorialisht. Sot askush nuk na pengon ne politikanët, ne njerëzit të quajtur shqiptarë, që brenda një projekti të stampës europiane t’i zhvillojmë këto pasuri në shërbim të mirëqenies sonë të përbashkët, asaj që Arben Xhaferi e quante aq bukur “mbrothësisë sonë të përbashkët”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara