Dardan Islami: Kush e do dezintegrimin e Evropës?

13:25 | 15 Mars 2015

Javën që shkoi euroja gati u barazua me dollarin amerikan, duke rrëshqitur kështu në nivelin më të ulët kundrejt funtit dhe dollarit që nga viti 2003. Lëvizja agresive e vlerave të monedhave të rëndësishme botërore, nuk është gjithmonë e thënë, por parimisht paralajmëron kriza.

Grekët e shqetësuar nga orteku i borxheve të jashtme, të cilat huadhënësit nuk duan as t’i shlyejnë e as ti shtyjnë, po merr përmasa të reja dramatike veçmas kur qeveria e re atje, kërcënon me rreziqe kundër Evropës “zemërftohtë” se do t’i lejojë emigrantët dhe terroristët e ISIS-it të kalojnë nga Iraku dhe Siria në Evropë.

Ndaj Gjermanisë, Athina zyrtare bën kërcënime se do t’i konfiskojë asetet e saj në Greqi si dëmshpërblim për dëmet në tokën e Akropolit që pësoi gjatë Luftës së Dyte Botërore, pikërisht nga shteti, i cili më së shumti ndihmoi pavarësinë greke nga Perandoria Osmane më 1830, si dhe ishte ndër donatorët kryesorë pas SHBA-ve pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur Greqia duhej të “mbrohej” se mos po ngulfatej nga ndihmat e mëdha Perëndimore.

Bota po ndryshon më shpejt se që e prisnim. A është ky sinjal se interesat strategjike po riformulohen? Tregjet evropiane kanë qenë kryesisht imune ndaj krizave financiare botërore, si ajo e vitit 1997 në Azi dhe më 2008 në SHBA, por këtë herë duket se është krejt ndryshe. Pas dobësimit të ekonomisë ruse, duket se radhën e ka Evropa.

Kolapsi financiar grek pritet të ketë efekt zinxhiror edhe në ekonomitë e shumë vendeve tjera anëtare si Spanja, Italia, Franca, Portugalia dhe Irlanda. E gjendur para një konflikti në kufijtë e saj dhe me një kërcënim permanent nga terrorizmi, burokracia evropiane po përpiqet që ta largojë konfliktin sa më larg vetes.

As Malit të Zi e as Gjeorgjisë tash për tash, nuk po iu mundësohet integrimi në NATO siç ishte paraparë. Shihet se bëhet fjalë për një presion të drejtpërdrejtë rus pas ngjarjeve në Ukrainë, që lëshojnë rreze kërcënuese edhe më larg.

Përpjekja e zyrtarit të lartë evropian për ta themeluar një ushtri të përbashkët evropiane, nuk është e re, pasi për të flitej edhe para 50 vjetëve, por si duket as tani nuk ka ithtarë të shumtë, posaçërisht jo nga britanikët që mbetën euroskeptikë të bindur.

Gjuha e butë dhe e matur e Aleancës veriatlantike e përdorur ndaj agresionit rus po lexohet si një ngurrim i Perëndimit për të ndalë Putinin, i cili po vazhdon t’i tregojë muskujt, duke dislokuar flotën dhe raketat në pika strategjike në Baltik, por edhe në Qipro, ku muajin e kaluar flotës ruse ju lejua një bazë siç thuhet “për servisimin e anijeve ruse në Mesdhe”.

Befasia e radhës erdhi para ca dite nga Islanda, e cila papritmas e tërhoqi kandidaturën e anëtarësimit në BE, pa dhënë shpjegime të detajuara për këtë hap, të cilin sot megjithatë dikush e kupton drejt. Në këtë krizë ekonomike që po shqetëson edhe Evropën gjithnjë më pak të lumtur nga zhytja në borxhe dhe sfida më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore, Kosova dhe qytetarët, e saj të gjitha shpresat i kanë lidhur pikërisht me integrimet Evropiane, të cilat tash për tash mbetën pa datë, gjersa kushtet e EU-së për Kosovën janë pa fund.

Ata tanimë e kanë të qartë se aleatë më të mirë pos SHBA-ve nuk kemi. Por kjo gjendje do ta zvarriste edhe burokracinë e stërngarkuar dhe joefikase evropiane, do të thjeshtësojë format e vendimmarrjes së përbashkët, dobësi këto të cilat në kohëra dinamike mund të mbartin me vete pasoja çfarë askush nuk i dëshiron, siç është dezintegrimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara