Albin Kurti e vuri në lajthitje Miroslav Lajçakun, dhe përhapi FakeNews

10:00 | 9 Prill 2020 | Elvinë Sefiu

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e vuri në lajthitje Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe përhapi FakeNews.

Së pari, e vuri në lajthitje, ose duhet të jetë shumë i vetëkënaqur, kur i thotë se situata me virusin COVID-19 është duke u menaxhuar mirë. Kjo situatë nuk mund të jetë e menaxhuar siç pretendon Albin Kurti, ose të paktën nuk i ka informacionet e duhura. Qeveria e tij ka proklamuar ardhjen e shtatë mijë testeve, por që në fakt deri më tani nuk kanë ardhur më shumë se një mijë prej tyre. Këtë fakt e pranojnë edhe në Laboratorin e Mikrobiologjisë. Derisa Qeveria në detyrë shton premtimin se do të vijnë edhe 10 mijë, të njëjtëve u është thënë se tani për tani nuk mund të kenë edhe më shumë se dy mijë teste të tjera. Sikur të ishte me vetëkritik në këtë paragraf, Kryeministri do të mund të ndikonte në një zgjidhje me të shpejtë në lidhje me këtë problem.

Së dyti, e vuri në lajthitje kur i shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun. Qeveria e tanishme e Republikës së Kosovës është më së paku e përkushtuar për dialogun me Serbinë, pavarësisht se e kupton se është e domosdoshme arritja e një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve. Kur presidenti, Hashim Thaçi, ftoi të gjitha partitë politike për të diskutuar në lidhje me këto negociata, neglizhenca e Kurtit ishte e vazhdueshme. Derisa, edhe ju pamundësua një adresim Presidentit para deputetëve, në lidhje me atë që ishte diskutuar me Serbinë, në prani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si ndërmjetësuese.

Së treti, një qeveri në detyrë nuk e ka kredibilitetin të rikonfirmojë përkushtimin për fillimin e dialogut, e aq më pak të paraqesë parimet udhëzuese. Albin Kurti sigurisht se po paralajmëron bllokadë në lidhje me dërgimin e  emrit për mandatarin e ri, pas rrëzimit të qeverisë, derisa po i shprehë Lajçakut se është i përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. E ka vënë edhe këtu në lajthitje, pasi që Kosova duhet të formojë qeverinë e re, ose të shkojë në zgjedhje të parakohshme nacionale, menjëherë pas normalizimit të situatës  me COVID-19. Dhe, asnjëri proces nuk i garanton Kurtit një mandat të ri në krye të ekzekutivit.

Së katërti, qasja se në diskutime nuk duhet të përfshihet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme, gjithnjë kanë qenë parime të secilit që ka qenë i ulur në tryezën me Beogradin. Albin Kurti, po ashtu shprehu një fakt të kërkuar nga secili lider në Kosovë e Serbi, dhe të arritur tashmë, se ky dialog duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Lajçaku është i vetëdijshëm se marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

FakeNews

Së pari, Albin Kurti i referohet autoritetit të tij si “Kryeministër” duke mos e parë të përkohshme pozitën në detyrë, duke i prezantuar diçka joreale, për të cilin raportimet në medie arsyeshëm do të mund të llogariteshin si FakeNews.

Së dyti, i tha Lajçakut se do të themelojë dhe udhëheqë ekipin negociator gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore. Në këto rrethana ai nuk mund ta bëjë as njërën, e as tjetrën, pa u “matur” në Parlament, ose para qytetarëve. Diçka joreale, për të cilin raportimet në medie arsyeshëm do të mund të llogariteshin si FakeNews.

Së treti, prezantoi përbërjen e ekipit, në të cilin vetën e sheh udhëheqës, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, si anëtarë, krahas përfaqësuesve tjerë politikë. Me Osmanin mund edhe të jetë konsultuar, por Presidenca bëri të ditur se Thaçi është krejt i pa informuar për këto “plane”. Diçka joreale, për të cilin raportimet në medie arsyeshëm do të mund të llogariteshin si FakeNews.

Së katërti, të pretendosh se qëllim i procesit negociator në të kaluarën ishte ‘ruajtja e fytyrës’ ose ruajtja e reputacionit të politikanëve dhe udhëheqësve të shtetit është krejtësisht e pa vërtetë, dhe liderët politik të angazhuar deri më tani duhet t’i japin epilog kësaj kahje të Kryeministrit në detyrë. Ka me dhjetëra ekspertë që në nivel politik e teknik që vazhdimisht janë angazhuar për negociatat, pa të cilat nuk do të kishte mundësi as vetë Kurti t’i shkruante Lajçakut, për finalizim të dakordimeve me Serbinë. Diçka joreale, për të cilin raportimet ne medie arsyeshëm do të mund të llogariteshin si FakeNews.

Për ta kthyer në realitet Kryeministrin në detyrë, dhe për t’i treguar se nuk është e vetmja adresë për këto çështje, s’ka më mirë se kur Lajçaku i përgjigjet: “Unë do ju kontaktoj ju dhe udhëheqjen politike në Kosovë”.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info. Ajo ka punuar për më shumë se dhjetë vjet në medie si gazetare dhe redaktore.)

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara