Shija klasike e qepëve të mbushura me mish

10:35 | 6 Qershor 2020

Qepët e mbushura me mish të grirë janë ndër recetat më klasike tradicionale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shija e kësaj recete është e larmishme dhe gjithëpërfshirëse.  Ajo të ngroh stomakun dhe të ndez shqisat.

Origjina e kësaj recete është Turqia dhe falë ndikimit të Perandorisë Otomane, ajo është shpërndarë nëpër shumë vende të Evropës lindore dhe përvetësuar nga vendet e Ballkanit.

Në këto vende, mbushja e perimeve është një nga traditat më të mira dhe të shijshme të kulinarisë dhe në çdo vend gjen speca, kunguj, patëllxhanë e shumë perime të mbushura me barishte dhe mish.

Përbërësit:

4 qepë të mëdha

250 gramë mish viçi të grirë

1 lugë çaji erëza mikse

Gjysmë luge çaji karafil pluhur

Lëngu i dy limonëve

3 lugë gjelle majdanoz të freskët

Kripë dhe piper sipas dëshirës,

1 vezë e madhe

2 lugë gjelle miell

2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:

Prijeni pjesën e sipërme të qepëve dhe krijoni hapësirën e nevojshme për mbushje.

Pjesën që hoqët nga brendësia e qepëve, prijeni hollë dhe përzijeni me mishin, erëzat, karafilin, lëngun e limonit, majdanozin, kripën, piperin dhe vezët.

Mbushini qepët me brumin e mishit dhe në sipërfaqe hidhni pak miell.

Vendosni një tigan të thellë në zjarr mesatar dhe hidhni vajin e ullirit dhe skuqini qepët duke i vendosur kokpëposhtë deri sa ato të marrin një nuancë të lehtë kafeje.

Më pas, në të njëjtin tigan, vendosini qepët e mbushura në anën e kundërt, shtoni lëng limoni dhe mjaftueshëm ujë sa të mbulohen.

Lërini të ziejnë për rreth një orë deri sa qepët të zbuten dhe mishi të jetë plotësisht i gatuar.

Më pas servirini të ngrohta.

Kjo pjatë e shijshme shoqërohet shumë mirë me pilaf dhe kos.

Qepët mund të mbushen edhe me perime për një vakt më të shëndetshëm dhe me bazë bimore ose edhe me mish qengji dhe kos./agroweb

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara