A është e mirë për shëndetin mbajtja e qenit?

01:43 | 9 Nëntor 2018

Si duket qeni vërtet është miku më i mirë i njeriut. Një studim i ri në Suedi tregon se njerëzit që pëlqejnë qentë kanë 23% më pak gjasa që të vdesin nga sëmundjet e zemrës. Në këtë studim, i cili zgjati 12 vjet, u përfshinë 3.4 milionë njerëz të moshës nga 40 deri 80 vjeçare dhe përveç përqindjes së reduktuar për të vdekur nga sëmundjet e zemrës, u dëshmua se ekziston një gjasë për 20% më e vogël që pronarët e qenve të vdesin nga çfarëdo shkaktari tjetër.

Ky studim tregon se personat që shoqërohen me qenë reagojnë më mirë ndaj stresit, kanë nivele më të larta të aktivitetit fizik dhe nivel më të ulët të kolesterolit. Edhe Shoqata Amerikane e Sëmundjeve të Zemrës kishte deklaruar në vitin 2013 se mbajtja e një qeni mund të ndërlidhej me rrezik të zvogëluar të sëmundjeve të zemrës, por një gjë e tillë nuk mund të vërtetohej, sepse metodologjia e studimit më tepër lidhej vetëm me vrojtime të rasteve.

Tove Fall, epidemiologe dhe udhëheqëse e studimit të fundit, thotë se ata u munduan që t’i përfshijnë në studim grupe të ndryshme të njerëzve, duke marrë parasysh edhe dallimet në nivelin e shkollimit, gjendjen shëndetësore paraprake, dhe mënyrën e përgjithshme të jetesës. Studimi tregon se ndikimi më i madh i mbajtjes së qenit ishte te personat që jetojnë të vetmuar. “Qentë ju nxisin që të ecni dhe të vraponi, ata ju japin mbështetje dhe e bëjnë jetën më kuptimplote. Nëse keni një qen dhe jeni të shtrirë në spital, jeni më të motivuar për të dalë sa më shpejt dhe për t’u kthyer në shtëpi”, shtoi ai.

Suedia është ndër vendet me shkallën më të ultë të popullsisë që mbajnë qen në Evropë, prandaj ajo shpreson që ky studim do ta ndryshojë mendjen e shumë njerëzve dhe rrjedhimisht kjo përqindje të ndryshojë gradualisht, shkruan “The Guardian”.

Shpërndaje në rrjete sociale