Vit pas viti pa liberalizim, shpresat shtyhen për 2021

08:28 | 30 Nëntor 2020

Si çdo vit tjetër edhe këtë vit Kosova ka humbur shansin për ta finalizuar procesin e liberalizimit, duke bërë kështu që ky proces të shtyhet për vitin 2021.

Përkundër që pritjet kanë qenë të larta që gjatë presidencës gjermane të Këshillit të BE-së të arrihet një gjë e tillë, mirëpo liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës nuk do ketë as gjatë këtij viti.

E, Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, për arbresh.info thotë se, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është në rendin e ditës së punës së institucioneve të BE-së për vitin 2020.

Sipas tij, i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2021.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është në rendin e ditës së punës së institucioneve të BE-së për vitin 2020. Takimi i fundit i Këshillit për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi për vitin 2020 do të mbahet me 14 dhjetor. Nuk ka asnjë gjasë që çështja e liberalizimit të vizave të shqyrtohet në kuadër të këtij takimi. Rrjedhimisht, i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2021 gjatë së cilit Presidenca e BE-së do të kalon tek Portugalia për 6 muajt e parë të vitit 2021 dhe Sllovenia për 6 muajt e fundit të vitit 2021”, tha ai.

Tutje, mendon se Kosova duhet të shënoj progres në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, dhe vetëm kështu mund të bindim vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin e vizave.

“Ndërkohë, Kosova duhet të shënoj progres në dy aspekte: (1) progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë; dhe (2) progres në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në arritjen e rezultateve bindëse në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Vetëm kështu mund të bindim vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe avancimin e rrugës së saj Evropiane dhe vetëm kështu mund të shpresojmë një vendimmarrje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave në 2021”, pohoi Shasha.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi e ka parë si të pritshme, pasi siç thotë ajo Qeveria Hoti nuk e ka luftuar korrupsionin.

“Tani është e qartë se nuk do të ketë liberalizim të vizave sivjet, dhe më e keqja është se Kosova tani ka një qeveri jo legjitime dhe po merr vendime që po e dëmtojnë procesin e Kosovës edhe drejt liberalizimit të vizave por edhe drejt avancimit në Integrimin Evropian, dhe hapi i fundit që ishte për shfuqizimin e Task-forces për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ishte një vendim e cila ka nxit edhe kundërshtime nga Bashkimi Evropian. Këto e dëmtojnë pozitën e Kosovës dhe nuk kemi arritur që ti bindim shtetet anëtare se Kosova ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe për ti bindur ne duhet të kemi raste konkrete e Kosova nuk ka bërë asnjë rezultat konkret dhe lobimi nuk mjafton”, tha ajo për arbresh.info

Gjithashtu, analisti politik Fatmir Sheholli, thotë se, Kosova është në udhëkryq dhe duhet të tregojë rezultate efikase në pavarësinë e drejtësisë si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Jo, pandemia nuk ka asnjë lidhje me ketë çështje. Kosova është në udhëkryq tani dhe duhet të tregojë rezultate efikase në pavarësinë e drejtësisë si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Tani duhet të jemi të kujdesshëm dhe të tejkalojmë ketë gjendje si shoqëri në tersi dhe të krijojmë avancim drejt liberalizimit të vizave”, u shpreh ai.

Ndryshe, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen./A.Zeka/arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara