Vetëvendosje mund ta vonojë pafundësisht krijimin e qeverisë së re

06:17 | 30 Mars 2020

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë së dielës ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së dielës ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, që vendi të shkojë në zgjedhje pasi të mbarojë pandemia.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, sipas Kurtit, Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.

Mirëpo, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka bërë të ditur se qeveria e re mund të behet edhe pas mocionit

“Thirrja në precedent për shpërndarje të Kuvendin pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, do të kishte kuptim sikur Kushtetua nuk do të kishte dispozita mjaftueshëm të qarta se si mund të veprohet në këso raste. Kushtetuta jonë është e qartë dhe jep opsione: i) nisjen e procedurave nga fillimi për zgjedhjen e qeverisë së re ose ii) shpërndarjen e Kuvendit. Opsioni i dytë do të duhej të ishte vetëm si rezultat i mungesës së shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re, apo, nëse ky është vullnet politik i 2/3-së së deputetëve të cilët do të votonin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Mirëpo sipas Mazllum Baraliut, ekspert i çështjeve kushtetuese, dorëheqja nga posti i kryeministrit dhe rrëzimi i qeverisë përmes mocionit, në esencë nuk dallojnë.

Baraliu për lajmi.net, ka sqaruar se çka nënkupton neni 82 dhe 95 i Kushtetutës së Kosovës.

“Jo në esencë nuk dallojnë. Në esencë është e njëjta gjë, atëherë ka dhënë dorëheqje kryeministri dhe me pranimin e mocionit, gjegjësisht dorëheqjes së tij, bije qeveria. Ashtu thotë neni 95 i Kushtetutës. Ndërkaq me mocion të mosbesimit po ashtu, rrëzohet qeveria, pra bije komplet qeveria dhe rezultati është i njëjtë, por të njëjtën gjë sikur atëherë do të duhej edhe në këtë situatë të mocionit të mosbesimit t’i jepej mundësia partisë së parë fituese në këtë rast Vetëvendosjes, që të formojë qeverinë meqë sapo kemi pasur një cikël zgjedhor dhe në qoftë se kjo (Vetëvendosje), këtë e konsumon nuk ka kandidat, atëherë presidenti në kërkesën e tij që t’ia jap mundësinë për të marrë mandatin atëherë presidenti ka mundësi që në bazë të nenit 82 të kushtetutës ka mundësi që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, por edhe në bazë të nenit 95 po ashtu ka mundësi të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme”, sqaroi Baraliu.

I pyetur se çka ndodhë nëse Vetëvendosje nuk e dërgon emrin e mandatarit te presidenti, dhe se a mund ta vonojë një veprim i tillë zgjedhjen e qeverisë së re, Baraliu, ka thënë se, në bazë të kushtetutës nuk ka afate të caktuara dhe rrjedhimisht sipas tij, kjo mund të krijojë vakuum deri në pafundësi.

“Fatkeqësisht është një vakuum në Kushtetutën e Kosovës që nuk ka afat të caktuar se prej momentit kur presidenti i mandaton një parti politike në këtë rast që ka shumicën në Kuvend e që është Vetëvendosje, që ta jap mandatarin nuk ka afat të caktuar pas sa ditësh duhet domosdoshmërisht ta jap përgjigjen. Pra është një vakuum që len mundësi që në pakufi të mos jepet përgjigja fare dhe kështu të vazhdojë qeveria në detyrë dhe kjo është një defekt i kushtetutës. Prandaj po ka mundësi që Vetëvendosje që ta shtyjë në një afat të pacaktuar dhënien e përgjigjes dhe presidenti nuk është i lirë që pastaj në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese t’ia jap besimin ndonjë partie tjetër të tretë ose koalicioni paszgjedhor që mund të bëhet, në këtë rast siç është planifikuar nga LDK që të bëhet me AAK-në dhe Nismën”, theksoi Baraliu.

Duhet theksuar se, më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Qeveria Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt, 2020.

Mocioni u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë. Aktualisht qeveria nuk është e dorëhequr, por në detyrë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të mbajë konsultime me partitë politike lidhur me krijimin e një qeverie të re.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara