Vetëvendosje i reagon Kryeministrit për donacionin për Notre Dame

14:18 | 17 Prill 2019

Të ashpra kanë qenë reagimet ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për t’i ndarë mjete shtetit të Francës për katedralen Notre Dame që u dogj në Paris.

Duke vlerësuar gjendjen aktuale në Kosovë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti kritikoi kryeministrin Haradinaj duke thënë se ky vendim tregon se kjo qeveri nuk i ka këmbët në tokë për të parë hallet e përditshme të qytetarëve.

“Në kohën kur shumë të rinj nuk shohin të ardhme në Kosovë, kur para secilës ambasadë të huaj, çdo ditë ke qindra të rinj që duan të ikin nga Kosova, kur sistemin shëndetësor e kemi katastrofal e mungojnë edhe dorëzat në QKUK, kur nuk mund të punësohesh pa qenë familjarë i këtyre qeveritarëve, Me gjithë këtë papunësi, varfëri e mjerim në Kosovë, të ndahen fonde për kishën për të cilën tashmë janë siguruar mbi 1 miliard euro, tregon që kjo Qeveri nuk është më as me këmbë në tokë dhe as nuk i sheh hallet e përditshme të qytetarëve. Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë dhe qytetarët përmes zgjedhjeve t’I bëjnë ndryshimet sa të nevojshme edhe të domosdoshme në Kosovë”, ka thënë Ahmeti në një prononcim për portalin arbresh.info./

Pas shumë reagimeve nga deputetë e shoqëria civile, Haradinaj ka kërkuar që të jenë të kujdesshëm në deklarata e tyre.

Ai ka thënë se shuma që do të ndajë Kosova do të jetë simbolike

“Duhet qenë të kujdesshëm kur flasim kundër saj për shkak se Franca është vend mik dhe mijëra kosovarë jetojnë dhe punojnë në Francë”, është shprehur Haradinaj./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale