Vetëvendosja ankohet për mënyrën e votimit nga diaspora por pret mbështetje të madhe

14:40 | 12 Shtator 2019

10 shtatori ka qenë afati i fundit që mërgimtarët kanë mundur të regjistrohen për të votuar përmes postës në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 6 tetor. Mërgimtarët të cilët janë regjistruar suksesshëm duhet të përgatitin pakon me fletëvotim dhe nga data 18 shtator deri më 4 tetor kanë afat që ta dërgojnë atë me postë në adresën e KQZ-së. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Gazetën Express ka thënë se së shpejti do ta kenë raportin lidhur me numrin e aplikimeve që kanë ardhur përmes postës. Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që presin rritje të votave nga mërgata qoftë përmes votimit me postë ose pjesëmarrjes direkt në zgjedhje. Ai ka kritikuar mënyrën se si votohet nga mërgata duke thënë se kjo formë është pengesë për përfshirjen e tyre në zgjedhje.

Sipas të dhënave në ueb-faqen e KQZ-së në zgjedhjet e vitit 2017 për Kuvendin e Kosovës në votat me postë kanë qenë gjithsej 5201 fletëvotime prej të cilave 5076 kanë qenë të vlefshme, shkruan Gazeta Express.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë për Gazetën Express se tani do të shqyrtohen aplikacionet që kanë ardhur nga mërgata dhe pas futjes së të dhënave do të kenë numrin e saktë të votuesve jashtë Kosovës.

“Mbështetur edhe në Planin Operacional ka filluar faza tjetër që ka të bëjë me shqyrtimin e aplikacioneve, futjen e të dhënave, vlerësimin e zotësisë juridike si dhe në fund është njoftimi i aplikuesit lidhur me statusin e aplikimit. Pas shqyrtimit të aplikacioneve, futjes së të dhënave, vlerësimit të zotësisë juridike – ne do të kemi të dhëna se sa persona janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2017, kishte dalë subjekti më i votuar nga mërgata, kështu votat e tyre ia kanë mundësuar që VV-ja të fitojë edhe një ulëse plus në Kuvend.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje njëherësh edhe anëtar i kësaj partie në KQZ, ka thënë për Gazetën Express se në zgjedhjet e vitit 2017, kjo parti ka pasur rreth 2500 vota nga mërgata.

Rrustemi ka thënë se po presin rritje të votave nga mërgata për Lëvizjen Vetëvendosje krahasuar me zgjedhjet e 2017-s.

“Mbështetja e mërgatës për Lëvizjen është e madhe, ashtu siç është interesimi dhe vlerësimi i Lëvizjes për rolin e mërgatës. Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi pret që në këto zgjedhje jo vetëm të dalë subjekti më i votuar, por edhe të shtojë numrin e votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Në këtë drejtim, ne presim që të kemi rritje të votave edhe nga mërgata”, tha Rrustemi.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ është shprehur se mënyra aktuale e votimit të mërgatës është pengesë për përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor.

“Mënyra aktuale e votimit të mërgatës është më shumë pengim se sa përfshirje e tyre. Dhe kjo bëhet nga pushteti ndër të tjera, sepse Lëvizja Vetëvendosje ka përkrahje masive. Në mungesë të votimit në ambasada e konsullata, bashkatdhetarët duhet të kalojnë nëpër procedura të ndërlikuara të regjistrimit e të votimit”, tha ai.

Rrustemi tha që akoma nuk kanë shifër zyrtare të atyre që janë regjistruar për të votuar nga mërgata.

“Ende nuk kemi një shifër zyrtare të atyre që janë regjistruar nga mërgata, ne presim mbështetje të madhe të bashkatdhetarëve qoftë duke votuar përmes postës, qoftë duke ardhur direkt në Kosovë më 6 tetor”, ka thënë ai.

I pyetur nëse votat e mërgatës do të mund t’i sigurojnë Vetëvendosjes më shumë se një ulëse në Kuvend, Rrustemi tha se sa i përket ndikimit të numrit të votave është e pamundur të parashikohet.

“Ne presim mbështetje të mërgatës në këto zgjedhje, si dhe ftojmë të gjithë ata që nuk janë regjistruar për të votuar me postë, që të vijnë fizikisht në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Ndërsa sa i përket ndikimit të numrit të votave nga mërgata në numrin e ulëseve, është e pamundur për ta parashikuar. Por, gjithsesi që presim që votat e mërgatës do ta fuqizojnë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara