Veseli në Rahovec: Qeveria të ndihmojë vreshtarinë dhe prodhimtarinë, bën thirrje të konsumohen produktet vendore

16:38 | 31 Tetor 2020

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar sot në qytetin e Rahovecit, ku ka vizituar disa vreshtari dhe prodhimtari të verës.

Gjatë vizitës të vreshtat e Eqrem Hoxhës dhe te dy bodrumet e verës, ai Biopak “Illyrians & Murati” dhe Bodrumi i Vjetër, kryetari Veseli u dha mbështetjen e tij këtyre prodhuesve dhe i siguroi ata se do të avokoj që kërkesat e tyre të dëgjohen.

Kryetari Veseli i bëri thirrje edhe qeverisë që këto prodhimtari të ndihmohen me më shumë fonde dhe suvencione gjatë kësaj periudhe të vështirë të pandemisë.

“Këta po e bëjnë punën e tyre, po punojnë dhe po prodhojnë. Prandaj, edhe qeveria duhet që ta bëjë punën e vet dhe të ndihmoj këta njerëz punëtorë përmes fondeve dhe subvencioneve.”, ka thënë kryetari Veseli.

Më tej, kryetari Veseli u ka bërë thirrje edhe të gjithë qytetarëve që sa më shumë të konsumojnë prodhime vendore gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që të ndihmohen edhe më shumë prodhuesit kosovarë.

“E kemi për obligim gjithmonë, por në veçanti gjatë kësaj periudhe, që të gjithë ne të konsumojmë më shumë produkte vendore.”, ka thënë kryetari Veseli.

Ruzhdi Haxhijaha, pronari i Bodrumit të Vjetër, ka falënderuar kryetarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen e pakursyer që u ka bërë gjithmonë prodhuesve vendorë.

Ai ka thënë se konsumimi i produkteve vendore është goditur shumë nga pandemia, megjithatë, me punë dhe vetëmohim po ia dalin të mbijetojnë me vështirësi. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara