Uji vërshon shtëpitë, ngritët niveli i lumit Batllava

08:49 | 5 Mars 2018

Dëme të shumta janë shkaktuar nga vërshimet që kanë ndodhur në Komunën e Podujevës, Malishevës, Prizrenit dhe Istogut.

Uji i lumenjve e i përroskave ka depërtuar edhe nëpër shtëpi në disa vende ku janë bllokuar disa familje, shkruan sot “Koha Ditore”. Gjatë ditës së shtunë Shërbimi i Zjarrfikësve ka evakuuar edhe 8 familje nga fshati Letanc dhe 1 në periferi të qytetit. Ndërkohë, zyrtarët komunalë të dielën kanë thënë se asnjë lagje nuk është e bllokuar.

Ngritët niveli i lumit Batllava

“Shkrirja e menjëhershme e borës dhe reshjet e shiut, kanë shkaktuar ngritjen e nivelit të ujit dhe daljen nga shtrati të lumenjve dhe përroskave, duke shkaktuar vërshime në disa lokalitete të Komunës së Podujevës. Derisa të dielën ka rënë niveli i ujit në të gjithë lumenjtë, për shkak të shkarkimit të madh të ujit nga Liqeni i Batllavës, është ngritur niveli i lumit Batllava, i cili ka shkaktuar vërshime në disa fshatra”, kanë thënë zyrtarët komunalë të Podujevës nëpërmjet një komunikate për media.

“Vërshimet e shkaktuara gjatë ditës së shtunë, si pasojë e shkrirjes së borës dhe reshjeve të shiut kanë bërë uji të depërtojë edhe në oborre dhe shtëpi në një lagje periferike të qytetit dhe në disa fshatra. Pavarësisht vëllimit të madh të ujit, që ka shkaktuar daljen e lumenjve dhe përroskave nga shtretërit, gjatë fundjavës, nuk ka asnjë lokalitet apo lagje të bllokuar në komunën e Podujevës”

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara