U vu gurthemeli për ndërtimin e shkollës së re në Lumbardh të Deçanit

12:41 | 13 Shtator 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës fillore “Lan Selimi” në Lumbardh të kësaj komune.

“Me këtë rast, ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur që gjendet në mesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve për të vënë gurthemelin për një objekt të ri shkollor, për të cilin uroi të gjithë banorët e kësaj ane”, thuhet në njoftimin për media.

Ministri theksoi faktin se ka pasur investime të mëdha në komunën e Deçanit, ndërsa përmendi kontributin e deçanasve në luftë, heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët, të cilët kanë bërë që sot të kemi mundësi ta gëzojmë lirinë dhe shtetin.

“Gradualisht, ne po e kompletojmë një infrastrukturë të mirë edhe në këtë fshat dhe jam i sigurt se po krijohet një ambient me standarde të larta, që edukimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve të jetë i barabartë me të gjithë të tjerët kudo”, tha Bytyqi.

Ministri Bytyqi theksoi se krahas infrastrukturës, duhet ta ngrisim cilësinë në arsim dhe t’i përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen e vendit tonë dhe tha se këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, duke përfshirë edhe prindërit si një prej faktorëve më të rëndësishëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara