Thaçi pas takimit me Tusk: Bashkimi Europian duhet ta marrë vendimin e vonuar për heqjen e vizave për kosovarët

13:47 | 15 Prill 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Thaçi me Tusk ka biseduar për situatën politike, për perspektiven europiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Tusk për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.

Ai ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një Status Quo të vështirë, e cila po ngadalëson shumë procese.

”Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, është shprehur presidenti Thaçi.

Pas plotësimit të të gjitha kritereve, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara