Thaçi nuk e ftoi Isa Mustafën dhe Albin Kurtin në ceremoninë e Çlirimit

21:48 | 12 Qershor 2019

Në LDK thonë se Presidenti Hashim Thaçi nuk e ka ftuar kryetarin e LDK’së, Isa Mustafën në ceremoninë e çlirimit, ku morën pjesë Bill Clinton, Madeleine Albright e Wesley Clark. Aty nuk është parë as Albin Kurti dhe zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes.

Në ceremonitë e organizuara sot për nder të 20-vjetorit të çlirimit dhe 20-vjetorit të hyrjes së forcave tokësore të NATO’së në Kosovë, nuk u pa askush nga zyrtarët e lartë të partive kryesore opozitare.

Dymbëdhjetë qershori në Prishtinë është shënuar me ceremoni të shumta për nder të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, të cilët kanë qëndruar në Kosovë.

Megjithatë në organizimet për Ditën e Çlirimit nuk ka qenë kreu i LDK’së, Isa Mustafa e as kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, apo dikush nga partia e tij.

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka thënë për Gazetën Express kreu i kësaj partie nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e sotme. Ai thotë se kjo nuk është përmendur pasi sot ka pasur shumë ndërkombëtarë.

“Na s’kemi marrë ftesë për ceremoninë e sotme. Z. Mustafa nuk është ftuar as si kryetar e as si ish-kryeministër. S’kemi dashur ta bëjmë temë për shkak se kanë qenë edhe ndërkombëtarët. Por, ftesë s’kemi pasur”, ka thënë Mustafa për Express.

Derisa rrugët e kryeqytetit ishin bllokuar, e në sheshet kryesore po shëtiteshin Clinton e Albrgiht, Kurti po mbante konferencë për media për 14-vjetorin e themelimit të VV’së.

Nga kjo parti kanë thënë për Gazetën Express se dy deputetë kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e Çlirimit.

Valon Ramadani dhe Ali Lajçi janë dy përfaqësuesit e VV’së që morën pjesë.

Prezent ka qenë kryetari i PSD’së, njëherit kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe madje edhe është përmendur nga Thaci në fillim të fjalimit të tij.

Ndryshe në ceremonitë e nisura që nga paradita, përvec udhëheqësve amerikanë morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.

Edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Mattheë Palmer, mbajti fjalim sot në ceremoni, duke përmendur se Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara