Thaçi: Nga Haga nuk kemi pranuar ftesë për Sylejman Selimin

23:07 | 10 Janar 2019

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë marrë asnjë ftesë në institucionin të cilin e drejton që Sylejman Selimi të dërgohet në Hagë.

“Deri më tani Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pranuar asnjë kërkesë apo njoftim se Sylejman Selimi duhet me u liru apo duhet me dalë nga burgu për të shkuar në Hagë”, tha Thaçi për KALLXO.com.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka disa ditë që po qëndron në Klinikën e Otorinolaringologjisë pas problemeve të cilat i ka me shëndetin.

Drejtori Thaçi tregon për KALLXO.com edhe për gjendjen e tij.

“Sylejman Selimi ka qenë në spital edhe para vitit të ri. Aty ka qëndruar për disa ditë, pastaj është rikthyer prapë në burg. Pas festave, Selimit i është përkeqësuar sërish gjendja shëndetësore dhe të premten e javës së kaluar i njëjti është shtruar për mjekim në spital”, tha Thaçi.

Dy ditë më parë, me anë të një njoftimi në Facebook, mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi, ka deklaruar se ish-komandanti i UÇK-së nuk është ftuar asnjëherë nga Zyra e Prokurorit Special për t`u intervistuar në Hagë.

“Gjeneral Sylejman Selimi, ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk është ftuar asnjëherë nga Zyra e Prokurorit Special për t`u intervistuar në Hagë”, thuhet në reagimin e avokatit Tomë Gashi.

Në anën tjetër, Gashi shtoi se janë duke negociuar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e Sylejman Selimit në Prishtinë.

Gjeneral Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg.

Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara