Thaçi në darkë me kryediplomaten norvegjeze: Dialogu me serbët të rifillojë pa kushte

21:54 | 24 Qershor 2019

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se kreu i shtetit, Hashim Thaçi, sonte ka pasur një darkë pune me ministren e Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide.

Sipas njoftimit, presidenti Thaçi dhe kryediplomatja norvegjeze kanë folur për bashkëpunimin bilateral, për përkrahjen e Norvegjisë për Kosovën, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Kosova është e përkushtuar për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Është shumë i rëndësishëm vazhdimi i dialogut, por ky dialog duhet të rifillojë pa kushtëzime”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Ndërsa, Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, ka theksuar se Norvegjia përkrah përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon.

“Norvegjia mbështet dialogun dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, citon njoftimi nga Presidenca, të ketë thënë kryediplomatja norvegjeze.

Gjithnjë sipas njoftimit, presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova do që njëherë e përgjithmonë ta qartësojë raportin e saj si shtet me shtetin e Serbisë dhe mund të vihet deri tek një marrëveshje ligjërisht obligative, me garancat e nevojshme ndërkombëtare, por nevojitet më shumë vullnet, largpamësi dhe pragmatizëm politik.

Lajmet më të lexuara