Thaçi: Askush mos të tentojë të bëjë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, vendimi i saj duhet respektuar

13:41 | 25 Maj 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, përderisa ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka uzurpuar zyrat e kryeministrisë.

“Për fat të keq kemi një njeri që i ka uzurpuar zyrat e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese, po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare. Mirëpo sido që të jetë ne duhet të kemi durim, duhet që qartësisht të punojmë por edhe të respektojmë kushdo që të jetë në krye të çdo institucioni apo spektri politik, të punojmë që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë në ditët në vijim”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i ka porositur të gjithë që të mos tentojnë të bëjnë presion ndaj gjykatës.

“Në asnjë formë të mos pretendoj ndokush që të bëjë ndonjë presion. Ne duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj t’i japim opinionet tona. E gjithë bota e din që vendimet e gjykatave duhet të respektohen dhe unë i kam respektuar gjithmonë edhe kur më kanë pëlqyer edhe kur nuk më kanë pëlqyer fare. Askush nuk është mbi Kushtetutën e ligjet e vendit”, u shpreh Thaçi.

Thaçi shtoi se si president i vendit do të vazhdojë të respektojë mandatin e tij që buron nga Kushtetua e Kosovës, duke shtuar se duhet të mësohemi t’i respektojmë institucionet e pavarura.

Presidenti shtoi se ftesa e tij për të gjithë është respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se nuk dëshiron që të komentoj punën e kësaj gjykate pasi që po keqinterpretohen deklaratat.

“Ta lëmë rahat Gjykatën Kushtetuese që të punojë. Sa i përket rrugëtimit të mëtutjeshëm varet nga vendimi i gjykatës”, tha Thaçi.

Këto komente presidenti i bëri pas vizitës në burgun e Dubravës me rastin e 21 vjetorit të masakrës që ndodhi në këtë burg.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara