Telekomi sponsorizoi edhe media që nuk ekzistojnë

08:18 | 20 Shtator 2019

Telekomi i Kosovës për vite me radhë është parë si një financues i pashtershëm për shumë media kosovare që nga ato të shtypurat e deri tek online.

Që nga viti 2014 e deri në vitin 2019 ky ‘oqean parash’ ka shpenzuar rreth 2 milionë euro për hapësira reklamuese e sponsorizime vetëm në mediat online.

Në dokumentin e shpenzimeve të Telekomit të siguruar nga portali arbresh.info, në pjesën e sponsorisimeve të mediave online janë parë disa webfaqeve dhe portale që nuk figurojnë në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

“Global Mission” është një emër që gjendet tek lista e sponsorizimeve të mediave online. Pas një hulumtim të portalit arbresh për këtë emër në rrjete sociale del që kjo është një radio e huaj.

Kjo radio nuk është e regjistruar në ARBK.

PTK ka ndarë 25 mijë euro për hapësira reklamuese për këtë radio.

 

“FX Desing” është një emër tjetër që gjendet në listat e PTK-së por nuk gjendet i regjistruar si biznes në ARBK e as në rrjete sociale.

Këtij emri  PTK i ka ndarë 9 mijë euro.

VegaMedium është kompani nga Prishtina (Kosovë), e specializuar në krijimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e mediave dhe bizneseve online.

Kësaj kompanie PTK i ka ndarë 7 mijë e 334 euro për sponsorizim. Kjo faqe në facebook i ka 1500 like dhe nuk është aktive shumë.

VegaMedium është i regjistruar si biznes në ARBK që nga viti 2012 por ka të regjistruar vetëm një punëtor.

UrbanMag.net një webfaqe që promovon arkitekturën dhe arkitektët është sponzoruar disa  muaj nga PTK duke përfituar në total 9 mijë e 450 euro.

Kjo faqe është e regjistruar në ARBK por posedon vetëm një punëtor.

Në facebook ka 83 mijë Pëlqime.

Portali “Republika 24” ka përfituar disa vite radhazi nga Posta dhe Telekomi duke marrë sponsorizim në vlerë 11 mijë euro.

Ndërsa aktualisht ky portal është jo funksional. Por edhe në kohën kur është sponsorisuar nga PTK nuk ka qenë shumë aktiv.

Ky portal është i regjistruar në ARBK.

NL Company është një emër tjetër që figuron në listat që ka sponsorisuar PTK. Edhe pse ky emër gjendet në ARBK, në kërkimet online nuk figuron asnjë faqe as në wordpress, por as në rrjete sociale me këtë emër.

Posta dhe Telekomi e ka sponsorizuar këtë faqe  me 16 mijë e 274 euro.

Ndonëse në listë të PTK-së shkruan sponsorizim për mediat online, në këtë listë është hasur edhe një faqe e veshjeve dhe modës.

“Kaonë” është një koleksion i modës që mund të gjendet vetëm në Facebook.

PTK e ka sponsorisuar këtë faqe me 5 mijë e 400 euro.

/Mira Avdimetaj/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara