Taksa nuk mund të “mbrohet” as me protesta

08:16 | 14 Shkurt 2020

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdimisht po këmbëngul për mos heqjen e taksës nga qeveria e re.

Madje për këtë ata thanë se do përdorin edhe masa të tjera, siç janë protestat.

Por, heqja e taksës e cila me fillim iu kërkua ish-kryeministrit Haradinaj të hiqet, tanimë nuk mund të mbrohet as me protesta.

Kështu than në një prononcim për arbresh.info, analisti Arton Demhasaj.

Sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndalet duke e pasur parasysh presionin e vazhdueshëm ndërkombëtar për heqje të taksës.

“AAK nuk munden ta mbrojnë e as ta ndalojnë heqjen e taksës, as me protesta, as me asgjë. Sepse kjo nuk varet aspak nga ta. Kjo varet nga vendimi i qeverisë, dhe qeveria nëse ka gatishmërie me e tërheq taksën, ka me e tërheq dhe nuk besoj që mundet me u ndal, e aq më pak kur kemi ndonjë presion ndërkombëtarë të shtuar për heqjen e taksës. Është e vështirë se mundet me u ndal një diçka e tillë”, tha Demhasaj.

Ai madje nuk mendon se mund të ketë masë të reciprocitetit, pasi ShBA-të janë të fokusuara në një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e bashkuara të Amerikës po synojnë që shumë shpejt me u kthye procesi i dialogut mes dy vendeve, që shumë shpejt me pas mundësi me u arrite një marrëveshje finale. Kështu që në kuadër të kësaj presioni ka me qenë që mos me u vendos masa e reciprocitetit”, tha Demhasaj.

Analisti Leon Duhanaj vlerëson se tarifa ishte vendim i drejtë, por që ish-kryeministri nuk arriti ta kuptoj momentin politik për pezullimin e saj.

“Ramush Haradinaj e ka humbur mbështetjen në qeverisje vetëm shkaku i disa vendimeve që kanë qenë në kundërshtim me idenë për të cilën besojnë shumica e shqiptarëve. Vënia e tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake, ishte vendim i duhur. Por, Haradinaj nuk arriti ta kuptojë momentin politik për pezullimin e saj. Jam i bindur që po ta pezullonte, do ta kapitalizonte me ndonjë sukses në politikën e jashtme”, tha Duhanaj.

Ai thekson se Haradinaj nuk do ta gjejë mbështetjen e duhur në atë protestë nga qytetarët, pasi që gjatë kohës që ishte në qeverisje nuk u ka dhënë asnjë zgjidhje.

“Pra, qytetarët as nuk e mbështesin në ndonjë protestë, sepse kanë probleme jetike, të cilave Haradinaj nuk u ka dhënë dot zgjidhje. Në këtë kontekst, e kuptoj që e ka kauzë dhe duhet ta mbrojë tarifën si të tillë, por nuk besoj që do të gjej përkrahje në ketë drejtim”, tha Duhanaj.

Prostesta për të kundërshtuar heqjen e taksës, u përmend si një nga format demokratike që AAK-ja deklaroi se do të përdorë për penguar kryeministrin Kurtin./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara